Në Pallatin e Kulturës në Bujanoc të dielën është mbajtur koncert homazh përkujtimor dedikuar Ridvan Qazimit- komandant Lleshit në përvjetorin e rënies së tij. Organizator i këtij aktiviteti ishte Komuna e Bujanocit.
Koncerti nisi me intonimin e himnit kombëtar interpretuar nga grupi koral për të vazhduar me një minutë heshtje në kujtim të jetës dhe veprës së Komandantit!
Më pas fjalë rasti mbajti kryetari i OVLUÇK- Bejtulla Bejtullahu i cili bëri thirrje për unitet e bashkim si e vetmja mënyrë për të ecur shqiptarët përpara.
Kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti në fjalimin e tij kujtoi heroizmin e pashoq të Komandant Lleshit në shumë luftëra posaqërisht në udhëheqjen brilante të Brigadës 112 Sherif Jonuzi e Enver Bajrami në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Pas këtij fjalimi Besiana Mehmedi kishte përgatitur një monolog premierë “Shkëndijë lirie” me përcjellje në piano nga Rudina Ciko dialog që emocionoi tërë sallën.
Ajo kujtoi fëmijët e komandantit: Albulenën, Kaltrinën, Leventin, Liridonin, nipin që ka trashëguar emrin e tij Ridvanin, bashkëshorten shembullore Shejzije, babain e ndjerë Isenin e nënën Ilfete që në shpirtin e tij kishin mbjellur pafund dashuri të shenjtë për atdheun.
Në këtë monolog u kujtua rënia tek “Gurët e buajve” më 24 maj 2001, marrëveshja e Konçulit më 20 maj 2001, muzeu me kujtime i ngritur në Tërnoc të madh më 26 nëntor 2012, lapidari i cili u ngrit në vitin 2002 por dhe momente të veçanta si ngritja e flamurit kombëtar më 31 dhjetor 2000 në mesin e mijëra qytetarëve që e donin dhe adhuronin aq fort komandantin duke e shpalosur kështu dimensionin e tij si figura më emblematike e Luginës dhe si njeri të guximshëm vizionar, strateg si njeri paqësor që rezistencën e luftën e kishte të domosdoshme për të mbrojtur popullin e tij kundrejt shtypjes e okupimit nga agresori serb.
Pas këtyre emocioneve në skenë u ngjit Levent Qazimi, djali i komandant Lleshit që aktualisht është nënkryetar i komunës së Bujanocit.
Një pikë tjetër premierë ishte kompozimi i Sami Piraj me tekst nga Shkodran Tolaj që u duartrokit disa herë gjatë interpretimit brilant të Besiana Mehmedit.
Në skenë u mirëprit Mariana Leka me veprat “Unë biri yt Kosovë” dhe “Agimet shqiptare” për të kulmuar me mjeshtrin e aktorit Xhevat Limani i cili vargjet e Nolit “Mbahu nën’ o mos ke frikë” i solli si kurrë më parë në atë skenë.
Pas këtij interpretimi Besiana Mehmedi, Xhevat Limani, grupi koral dhe Rudina Ciko sollën “Ai është i gjallë” dedikuar komandantit Adem Jashari, ushtarëve e komandantëve tanë duke pasqyruar lidhjen e Ridvan Qazimit me Adem Jasharin- fotografinë e së cilit e mbante në shtabin e përgjithshëm të luftës së Luginës në Konçul.
Pas kësaj vepre tejet dramatike, në skenë u interpretuan dy duete që i këndojnë jetës dhe së ardhmes “Këngë moj” dhe “Valsi i lumturisë” ku Besiana Mehmedi e Mariana Leka përçuan dëshirën e komandantit që jetën ta jetojmë e gëzojmë pavarësisht të gjitha sfidave.
Pas këtyre pikave u përshëndet me duartrokitje të gjata maestro Zhani Ciko duke e falënderuar për pjesëmarrjen e tij në Bujanoc.
Zhani Ciko në shenjë nderimi për komandantin dirigjoi Himnin e Evropës interpretuar nga dy solistet dhe kori duke përcjellë mesazhin se komandant Lleshi luftoi që shqiptarët të jenë pjesë e Evropës pa kufij.
Në fund të koncertit të pranishmit i përshëndeti drejtori artistik Shkodran Tolaj i cili u duartrokit fuqishëm nga e gjithë salla si falënderim për angazhimin e tij të parezervë në shumë koncerte dhe pjesëmarrjen në çdo moment sfide e proteste në Luginë, aty ku ende kërkohen të drejtat e domosdoshme që u takojnë shqiptarëve./rtk



Të tjera
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rrymës të shtunën
Llojet më të shpeshta të alergjive
SHBA ofron deri në 10 milionë dollarë shpërblim për informacione mbi liderët iranianë