Protestat masive që mbrëmë mbuluan rrugët e Beogradit dhe qyteteve të tjera të Serbisë, kanë tërhequr vëmendjen e mediave më të mëdha perëndimore, të cilat kritikuan ashpër regjimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Sipas agjencisë Associated Press (AP), dhjetëra mijëra protestues dolën sërish në rrugët e qyteteve serbe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, media të lira dhe ndëshkimin penal të përgjegjësve për shembjen tragjike të një mbulese metalike në stacionin hekurudhor të rinovuar në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.
AP raporton se forcat e policisë të pajisura për shpërndarjen e protestave ruanin rezidencën presidenciale, ndërkohë që Vuçiç, i cili sipas mediave perëndimore “kërcënon me përplasje të forta ata që protestojnë kundër sundimit të tij populist”, ndodhej jashtë vendit. Në Novi Sad, policia sulmoi protestuesit paqësorë me shkopinj gome, duke lënduar disa prej tyre, shton AP duke cituar burime lokale.
Agjencia thekson gjithashtu se autoritetet kanë shkarkuar mbi 100 profesorë universitarë dhe të shkollave të mesme për shkak të mbështetjes së tyre ndaj studentëve protestues, duke i zëvendësuar me persona të afërt me Vuçiçin.
Ndërkohë, presidenti serb ndodhej në Kinë, në një forum ku morën pjesë edhe liderë të vendeve si Rusia, Kina, Koreja e Veriut, Irani dhe Bjellorusia – një fakt që mediat e kanë interpretuar si simbolikë të orientimit politik të regjimit të tij.
Edhe agjencia Reuters raportoi për protestat, duke theksuar se ato ishin një “shëtitje e heshtur në kujtim të viktimave të tragjedisë në Novi Sad”, por edhe një thirrje e fortë për zgjedhje të lira, që synojnë rrëzimin e Vuçiçit dhe partisë së tij nga pushteti.
Sipas Reuters, studentë, grupe opozitare dhe organizata kundër korrupsionit e akuzojnë Vuçiçin për lidhje me krimin e organizuar, përdorim të dhunës ndaj kundërshtarëve politikë dhe shtypje të mediave të pavarura – akuza që ai dhe mbështetësit e tij i mohojnë.
Edhe agjencia franceze AFP raportoi për protestën, duke theksuar se mijëra qytetarë dolën në rrugët e Beogradit për të kërkuar zgjedhje dhe për të përkujtuar 10 muajt që kanë kaluar që nga fatkeqësia në Novi Sad. AFP e përshkroi protestën si të parën me përmasa të mëdha pas incidenteve të dhunshme në protestat e muajit gusht.
Sipas të dhënave të policisë serbe, gjatë 10 muajve të fundit janë mbajtur mbi 23.000 protesta dhe bllokada, që nga tubime të vogla lokale e deri te demonstrata masive në kryeqytet, ku kanë marrë pjesë qindra mijëra njerëz.
Të tjera
Me presidenten Osmani diskutuam për partneritetin e ngushtë Kosovë-Mbretëri të Bashkuar dhe për formimin e Kuvendit
Ushtria e Kosovës dhe e Shqipërisë trajnohen për ndërtimin e urave ushtarake
Bislimi shpreh mirënjohjen ndaj Kroacisë për mbështetjen dhe përkrahjen e parezervë që po i bën Kosovës