“Mesazh i qartë nga Haradinaj: Mërgimtarë, bëni diferencën më 28 dhjetor!”

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u është drejtuar mërgimtarëve me një letër me rastin e pushimeve të fundvitit, ku i fton ata për reflektim dhe angazhim në proceset politike në Kosovë.

Në mesazhin e tij, Haradinaj thekson se krahas vizitave familjare, festat e fundvitit do të sjellin edhe “një angazhim tjetër që pretendon ta kthejë Kosovën në binarët e normalitetit”. Ai nënvizon se synimi mbetet një Kosovë që pasqyron “ëndrrat e përbashkëta”, ku vlerat e lirisë respektohen dhe ku institucionet tregojnë përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Haradinaj kritikon qasjen e Qeverisë në mbështetjet financiare, duke thënë se Kosova ka nevojë për “angazhim institucional”, e jo për “lëmoshë prej 100 eurosh” që, sipas tij, shërben vetëm për zgjatjen e pushtetit.

Ai u bën thirrje mërgimtarëve të diskutojnë brenda familjeve të tyre dhe të marrin vendime për të ardhmen e vendit. Haradinaj rikujton kontributin e mërgatës para dhe pas luftës, duke theksuar se uniteti familjar dhe kombëtar është thelbësor për të ardhmen e Kosovës.

Letra e plotë: 

Të dashur mërgimtarë,

Vëllezër e motra,

Pushimet e ardhshme, që i bie të jenë për festat e fundvitit, përveç vizitave në familjet tuaja, do ta kemi një angazhim tjetër që pretendon ta kthejë Kosovën në binarët e normalitetit.

Ne s’duam lëmoshë financiare prej 100 eurosh, që ministri e kryeministri t’ia vazhdojnë pushtetin vetes për një javë apo një muaj.

Ne duam angazhim institucional, që familjet tona ta ndjejnë dorën e shtetit.

Bisedoni e argumentoni mes vete, në familjet tuaja, dhe vendosni për të ardhmen.

Pastaj, dhatë për lirinë shumë, e bashkë e gëzuam rrugëtimin e ëndrrës që për të u sakrifikua shumë.

Pa njëri-tjetrin nuk e kemi familjen, nuk e nderojmë vendin dhe nuk e sigurojmë të ardhmen.

Mos e lejoni asnjë propagandë që e dëmton familjen.

Besnik ndaj atdheut dhe kombit.