Ministrat e Mbrojtjes së Evropës ranë dakord të premten për të zhvilluar një “mur dronësh” përgjatë kufijve të tyre me Rusinë dhe Ukrainën, për të zbuluar, ndjekur dhe ndërhyrë më mirë ndaj dronëve që shkelin hapësirën ajrore të Evropës.
Vendimi vjen pas një serie incidentesh ku kufijtë dhe aeroportet e Evropës janë testuar nga dronë të paligjshëm. Rusia është fajësuar për disa prej tyre, por mohon që të ketë vepruar me qëllim ose të ketë pasur ndonjë rol.
“Rusia po teston BE-në dhe NATO-n, dhe përgjigja jonë duhet të jetë e vendosur, e bashkuar dhe e menjëhershme,” tha komisioneri i Mbrojtjes së BE-së, Andrius Kubilius, pas kryesimit të një takimi virtual me 10 vende në anën lindore të Evropës. Në bisedime morën pjesë gjithashtu zyrtarë ukrainas dhe të NATO-s, raporton AP.
Kubilius tha se mburoja e dronëve mund të ndërtohet brenda një viti dhe se përfaqësuesit e vendeve do të takohen së shpejti për të zhvilluar “një plan konceptual dhe teknik të detajuar” për rrugën përpara. Prioriteti kryesor është “një sistem efektiv i zbulimit,” shtoi ai.
Murin e dronëve pritet të diskutojnë udhëheqësit e BE-së në një samit në Kopenhagë javën e ardhshme dhe, më pas, përsëri në tetor kur do të takohen në Bruksel. Kubilius tha se gjithashtu do të përfshihet industria e mbrojtjes e Evropës.
“Takimi i sotëm ishte një pikë kthese, tani fokusi ynë është te zbatimi,” tha ai.
Finlanda, Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia kanë punuar në një projekt për mur dronësh, por në mars, Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së, refuzoi kërkesën e përbashkët të Estonisë dhe Lituanisë për fonde për ngritjen e tij.
Gjërat kanë ndryshuar këtë muaj.
Aeroplanët e NATO-s u ngritën më 10 shtator për të rrëzuar një numër dronësh rusë që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë, një përgjigje e shtrenjtë ndaj një kërcënimi relativisht të lirë. Aeroportet në Danimarkë u mbyllën përkohësisht këtë javë pasi dronët fluturuan pranë tyre.
“Lufta hibride po vazhdon dhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian do ta përjetojnë atë,” tha ministri i Mbrojtjes së Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, për gazetarët në Varshavë pas bisedimeve për murin e dronëve. “Kërcënimi nga Federata Ruse është serioz. Ne duhet të përgjigjemi në mënyrë shumë radikale”, tha ai./rtk
Të tjera
Tani është koha e tij, hani rrush çdo ditë – Ja benefitet për trupin
Pas 9 nëntorit trajtojmë çështjet tjera, tani fokusi te fitorja
Vendimet e mëdha s’janë asnjëherë të lehta, interesi i qytetarëve mbi gjithçka