Ministria e Ekonomisë ka dalë përmes një komunikate zyrtare ka sqaruar procesin e ankandit për ndërtimin e parkut solar me kapacitet 100 MW, pas disa raportimeve në media që, sipas saj, kanë përhapur dezinformata dhe insinuata të pabazuara për shkelje apo favorizim.
Ministria thekson se ankandi është zhvilluar në mënyrë tërësisht transparente dhe konkurruese, me përkrahje nga Qeveria e SHBA-së përmes USAID. Fituesi është shpallur konsorciumi Orllati-Holdigaz-ZPV-Jaha Solar nga Zvicra, Gjermania dhe Kosova, me një çmim prej 48.88 €/MWh, që është ndjeshëm më i ulët krahasuar me çmimin prej 161.6 €/MWh të energjisë së blerë më parë përmes skemave të tarifave të garantuara.
Garancioni bankar dhe transparenca
Ministria konfirmon se ka kërkuar një garancion bankar prej 7.5 milionë euro nga fituesi për të siguruar realizimin e projektit. Po ashtu, për shkak të bilancit financiar të dobët të KOSTT në kohën e ankandit, është kërkuar nga investitorët që të ketë një garancion për pagesë të energjisë së prodhuar, gjë që për Ministrinë është standard ndërkombëtar dhe nuk përbën asnjë shkelje.
Proces i hapur dhe konkurrues
Procesi është promovuar në nivel vendor dhe ndërkombëtar me përkrahje nga USAID dhe ka tërhequr aplikime nga 6 kompani dhe konsorciume nga 6 shtete. Gara ka përfunduar me 4 raunde konkurrence elektronike të transmetuara live në RTK dhe faqen zyrtare të Ministrisë.
Asnjë garancion i lëshuar nga shteti
Ministria sqaron se nuk është lëshuar ndonjë garancion nga asnjë institucion i Kosovës, por vetëm është dhënë zotim politik për të ndihmuar në rast nevoje që të sigurohet garancia nga KOSTT.
Ndikimi në tarifa minimal
Kostoja e mundshme për sigurimin e garancionit për KOSTT nga bankat do të ishte minimale dhe me ndikim të papërfillshëm në tarifat e konsumatorëve, afërsisht 0.0002%, që për një faturë prej 5,000 euro do të nënkuptonte vetëm 1 cent shtesë.
Ministria vlerëson se ky ankand ka krijuar reputacion pozitiv ndërkombëtar për Kosovën, duke u përmendur si shembull suksesi nga Asociacioni i Rregullatorëve të Energjisë (ERRA). Ministria mbetet e përkushtuar për transparencë dhe informim të drejtë publik në çdo proces të ngjashëm në të ardhmen.
Të tjera
Punime të domosdoshme, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të enjten
Rainer Rudolph është Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë
Bastisje në Dubravë, të dënuarit kapen duke futur telefona e na*rkotikë