Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme kaluan disa marrëveshje ndërkombëtare me mbi 80 vota deputetësh, derisa u votua edhe Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e RTK-së.
Ndërkohë, kuorum nuk pati edhe për marrëveshjen ndërkombëtare për zhvillimin e sektorit financiar të Kosovës, mes Ministrisë së Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, meqë për këtë marrëveshje ndërkombëtare ishin vetëm 71 vota deputetësh, nga 80 të domosdoshme për ta kaluar atë. Si ajo mbeten pa u hedhur në votim edhe tri marrëveshje të tjera ndërkombëtare si shkak i mungesës së kuorumit.
Kryetarja e Kuvendit tha se ato do të barten për votim në seancën e radhës.
Po ashtu, në seancë është formuar edhe Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë anëtarë nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një anëtar nga komunitetet jo shumicë për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës. Për këtë komision që përbëhet nga të gjitha Grupet Parlamentare votuan 76 deputetë, asnjë nuk ishte kundër, ndërsa një abstenoi.
U votua gjithashtu edhe Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të KPM-së nga radhët e komunitetit shqiptar. Për formimin e tij votuan 77-të deputetë.
Gjithashtu, deputetët formuan Komisionin Ad-Hoc për hartimin e Projektligjit për parandalimin e vetëvrasjes, te cilët para Kuvendit duhet të paraqesin këtë projektligj brenda 6 muajsh.



Të tjera
Ekspozita ishte devijim i historisë
Janë kthyer me aftësi unike
FFK-ja publikon orarin e javës së 27-të, duele vendimtare në Superligë