LVV mban takim me drejtuesit lokalë: Mobilizimi vazhdon, Lëvizja nuk ndalet

Mobilizimi vazhdon, Lëvizja nuk ndalet

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një mbledhje me drejtuesit e qendrave të saj në Kosovë, përcjell KosovaPost.

Takimi u zhvillua në Podujevë, me pjesëmarrjen e kryeministrit në detyrë dhe njëherësh kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, sekretarit organizativ Alim Rama dhe koordinatorit të qendrave, Salih Zyba.

Sipas LVV-së, në takim është diskutuar për ecurinë e procesit zgjedhor dhe janë analizuar rezultatet nëpër komuna.

Lëvizja ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve lokale është më i miri që nga pjesëmarrja e saj në zgjedhjet komunale, duke përmendur fitimin e 7 komunave dhe zgjedhjen e 177 asamblistëve në nivel vendi.

Në njoftimin e Vetëvendosjes thuhet se strukturat organizative dhe aktivistët e saj në terren “vazhdojnë të jenë të mobilizuar dhe të gatshëm për çdo betejë, lokale apo qendrore”.

LVV ka theksuar se mbetet “alternativa e vetme serioze” dhe se fitoret e fundit, siç thuhet, janë arritur “vetëm me aleanca me qytetarët, pavarësisht bashkërendimeve të opozitës”.