Sot në sheshin e Prishtinës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë në një rast të përplasjes fizike me një qytetar.
Rasti ka ndodhur derisa Zemaj ka qenë duke dhënë një intervistë për Blic.
Kjo e fundit ka ndarë edhe video nga momenti.
“Sot rreth orës 15:00 është pranuar informata për një konflikt fizik në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ në Prishtinë. Lidhur me incidentin palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici. Për detaje shtesë do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, ka reaguar edhe deputeti Zemaj, si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, këtë do e vërtetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk me ka ndodhë kurrë gjatë karrierës sime, dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike. Kam respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo, e imja është të mos reagoj me emocione. Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situate”, ka shkruar ai.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmin e papranueshëm të ndodhur sot gjatë një interviste publike, ku deputeti i LDK-së, z. Armend Zemaj, jo vetëm që është ofenduar dhe provokuar verbalisht, por edhe është përballur me sulm fizik ndaj tij. Ky akt është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit. Sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së, përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti ynë. Mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë”, thuhet në reagimin e LDK-së, ku theksohet se si parit shpreh solidaritet të plotë me deputetin Armend Zemaj dhe fton organet e rendit dhe ligjit të sqarojnë me përgjegjësi rrethanat e sulmit.



Të tjera
Shenjat që tregojnë se keni një personalitet unik
Osmani pas përfundimit të mandatit: “Do të vazhdoj nëse qytetarët e duan”
Osmani: Kosova nuk është e izoluar – Kam qenë pjesë e forumeve dhe kam vizituar shtete të ndryshme