Monitoruesit nga shoqëria civile ndalohen për të hyrë brenda në Kuvend, reagon Cakolli

Sigurimi i Kuvendit të Kosovës i ka ndaluar monitoruesit nga Shoqëria Civile të hyjnë në objekt për të ndjekur seancën e sotme.

Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim.

Cakolli tha se, pavarësisht që kishin dorëzuar kërkesën për hyrje më 10 prill dhe kishin qenë të pranishëm në shumicën e seancave, këtë herë sigurimi u kërkoi një kërkesë të re me shkrim për të hyrë në Kuvend.

Pas performancës që zhvilluam sot si shoqëri civile para Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa kolegë deshëm të monitorojmë seancën – ashtu siç kemi bërë vazhdimisht prej më shumë se 15 vitesh, e veçanërisht pas 15 prillit. Por, kësaj here, sigurimi na ndaloi hyrjen, me arsyetimin se nevojitet kërkesë e re me shkrim, ndonëse një të tillë e kemi dorëzuar që më 10 prill, pas së cilës kemi marrë pjesë në pothuajse të gjitha seancat”, ka thënë Cakolli.

“Ky veprim, pikërisht pas reagimit tonë publik, është jo vetëm pengesë e pajustifikueshme, por edhe tejkalim i kompetencave nga ana e kryesuesit, i cili nuk ka asnjë mandat për të kufizuar praninë e shoqërisë civile në Kuvend”, ka shkruar ndër të tjera Cakolli.