Witkoff dhe Kushner e këshillojnë Netanyahun: Mos e rreziko armëpushimin në G@zë

Mos e rreziko armëpushimin në G@zë

Përfaqësuesit e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, i kanë bërë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë takimeve të sotme që të shmangë çdo veprim që mund të rrezikojë fazën e parë të planit të armëpushimit në Gazë, të ndërmjetësuar nga Trump.

Sipas raportimit të Channel 12, të cituar nga Nava Freiberg, këshilltarët e Trump-it kanë theksuar nevojën për të avancuar drejt fazës së dytë të marrëveshjes.

“Mos veproni në mënyrë që do të rrezikonte armëpushimin. Ne duam të bëjmë gjithçka për të arritur në fazën e dytë,” raportohet të kenë thënë Witkoff dhe Kushner gjatë diskutimeve me Netanjahun, duke shtuar se, ndërsa “vetëmbrojtja” është e pranueshme, “rrezikimi i armëpushimit” nuk është.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Çështjeve Strategjike të Izraelit, Ron Dermer, i cili, bashkë me Netanjahun, rikonfirmoi angazhimin e Izraelit ndaj kuadrit të armëpushimit dhe pritshmërinë që Hamasi të respektojë detyrimet e veta, sipas raportit të Channel 12.

Në një zhvillim të pazakontë, dy përfaqësuesit e Trumpit zhvilluan gjithashtu takime me dy gjeneralë majorë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF).

Sipas rrjetit televiziv ata u takuan me kreun e Divizionit Teknologjik të IDF-së dhe kreun e Inteligjencës Ushtarake për të vlerësuar përpjekjet e Izraelit në avancimin e kuadrit të Trump-it.

Gjatë këtyre diskutimeve, u trajtua “i gjithë mekanizmi për çmontimin dhe çmilitarizimin e Gazës pasluftës,” dhe u bë e qartë se SHBA-ja dëshiron të sigurojë që IDF-ja po bën të gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes.

Takimet u zhvilluan me autorizimin e nivelit politik izraelit, thekson Channel 12.

Këto diskutime pasqyrojnë përpjekjet e vazhdueshme të administratës së Trump-it për të konsoliduar armëpushimin e brishtë në Gaza dhe për të siguruar që të gjitha palët të përmbushin angazhimet e tyre, ndërsa përgatiten për fazat e ardhshme të planit për paqe dhe stabilitet në rajon.