Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. ka reaguar pas vërshimeve që përfshinë sot disa zona të kryeqytetit, duke sqaruar se situata nuk lidhet me neglizhencë të kompanisë, por me gjendjen e vjetërsuar të rrjetit të kanalizimit dhe sistemin e përbashkët të ujërave atmosferike dhe atyre fekale.
Sipas KRU “Prishtina”, gjysma e linjave të kanalizimit në Prishtinë janë të vjetra dhe të ndërtuara para shumë vitesh, ndërsa rritja e shpejtë e ndërtimeve të larta dhe e numrit të banorëve ka ndikuar që kapaciteti i tyre të mos jetë më i mjaftueshëm. Rrjetet e përbashkëta të ujërave të shiut dhe atyre fekale, sipas kompanisë, shkaktojnë mbingarkesë të menjëhershme në rast reshjesh të dendura.
“KRU ‘Prishtina’ ka buxhet të dedikuar për investime, riparime, pastrim pusetash dhe debllokime, si dhe ekipe profesionale që menaxhojnë sistemin e ujërave fekale. Por kompania nuk ka kompetencë për ndërtimin apo mirëmbajtjen e kanalizimeve atmosferike, të cilat janë përgjegjësi e Komunës së Prishtinës,” thuhet në njoftim.
Kompania bën të ditur se është në kontakte të vazhdueshme me Komunën e Prishtinës dhe me Drejtorinë e Investimeve Kapitale për koordinim në rastet më problematike.
Apel qytetarëve: Mos hapni pusetat gjatë reshjeve
KRU “Prishtina” ka bërë edhe një thirrje urgjente për qytetarët që, gjatë reshjeve të dendura, të mos hapin pusetat e kanalizimeve për t’i futur ujërat e shiut brenda në sistem, pasi kjo mund të shkaktojë përmbytje të kundërta dhe depërtim të ujit në shtëpi.
“Duket ndihmesë, por në fakt shkakton dëme në banimet tuaja”, theksohet në reagim.
Ekipet e mirëmbajtjes së kanalizimit të kompanisë janë të gatshme t’u dalin në ndihmë banorëve në rastet e bllokimeve të rrjetit fekal, por theksohet se vërshimet pas reshjeve të mëdha nuk lidhen me punën apo përgjegjësinë e tyre.



Të tjera
Barazia gjinore është betim, veprim dhe marshim i përbashkët
Plejofi i Kosovës ia vë flakën Beogradit – mediat serbe në krizë nervore
12 gjëra që duhet t’i bëni në mbrëmje e jo mëngjes