Në kryeqytet Lëvizja Vetëvendosje të shtunën ka mbajtur tubimin e hapjes së fushatës për zgjedhjet lokale, në raundin e balotazhit, me prezencën e të gjithë kandidatëve për kryetarë komunash. Kreu i kësaj partie tha se LVV lëviz me ide, dije dhe studime, ndërsa theksoi rëndësinë e votës.
Kurti shtoi se kryetarët nga LVV që kanë qeverisur në nivel lokal janë model i realizimit të projekteve dhe punës. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë kandidatët e LVV-së për kryetarë komunash, teksa tha se janë kryetarët që sjellin investime, ndërsa i prezantoi ata një nga një.
Për Prishtinën, Kurti tha se për kryeqytetin e kandidon njeriu që bart suksese të mëdha, duke nënvizuar se Hajrullah Çeku ka një program të shkëlqyeshëm. Sipas tij, Prishtina do të ketë unazën e jashtme të qytetit dhe deri në vitin 2030 do të jetë qytet model, i pajisur me stadium, palestra, salla sporti, pishina dhe objekte të tjera për të pritur Lojërat Mesdhetare.
“Të votoni për atë parti e cila në nivelin qendror i ka rritur ndjeshëm rrogat e pensionet, bursat për studentë e shtesat për fëmijë, ndërkaq në nivelin lokal kudo ku kemi qeverisur kemi investuar shumë më tepër sesa paraardhësit tanë, nga të cilët fatkeqësisht trashëguam veçse borxhe. Të dashur qytetarë, votues të partive të tjera, mos shikoni partinë kësaj radhe, por shikoni punën që është bërë dhe do të bëhet. Në komuna si Shtimja e Kamenica për katër vite kemi çuar investime dhe buxhet aq sa të tjerët për 20 vite nuk kanë çuar. E pra, pse mos të jenë edhe Prishtina, Mitrovica e Prizreni, Gjakova, Peja, Vitia, Kaçaniku, Fushë-Kosova, Vushtrria, Obiliqi, Rahoveci njësoj si Podujeva e Gjilani? Pse mos të vijnë edhe tek komunat tuaja investime dhjetëra milionëshe? Mendoni mirë dhe zgjidhni kryetarin e duhur”, tha Kurti.
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LVV-së Hajrullah Çeku premtoi një Prishtinë të barabartë e funksionale, me arsim cilësor, më shumë çerdhe publike, përkrahje për gratë e familjet, zhvillim sportiv e urban të qëndrueshëm dhe buxhet që i shërben qytetarëve.

“Ne po bëhemi bashkë për Kryeqytetin, ku do të krijohen kushte për një mësim gjithëditor serioz, për më shumë çerdhe publike me bazë në komunitet, me kosto të përballueshme, që prindërit e posaçërisht gratë të kenë mundësi të aktivizohen në tregun e punës. Ne po bëhemi bashkë për një Prishtinë të sportit, sepse i presim Lojërat Mesdhetare, por pastaj vazhdojmë me Prishtinën si qendër e rëndësishme e ngjarjeve ndërkombëtare. Ne po bëhemi bashkë për një Prishtinë të mirëqenies për secilën familje, për përkujdesje për ata që kanë nevojë, e sidomos ata që janë të margjinalizuar. Ne po bëhemi bashkë për një Prishtinë ku buxheti nuk i shërben grupeve të caktuara, nuk është instrument për shlyerje borxhesh, por për t’u adresuar nevojave dhe kërkesave të qytetarëve, dhe ky buxhet po bëhet bashkë me qytetarët, ndërsa investimet po bëhen duke respektuar parimin e barazisë. Investojmë në çdo lagje, i trajtojmë banorët në mënyrë të barabartë sepse duam një qytet që i zgjidh problemet e veta urbanistike me qasje të kujdesshme e planifikim. Duam fëmijë që luajnë në parqe të qytetit me siguri të plotë, duam Prishtinën e vitit 2025 që do të jetë funksionale, e zhvilluar dhe që do të garantojë barazi”, ka deklaruar Çeku.
Në këtë tubim, Kurti ka prezantuar secilin kandidat për kryetar komune dhe programet e tyre për zhvillimin e qyteteve.



Të tjera
Fruti që balancon çrregullimet hormonale
KE-ka qenë padrejtësisht e butë ndaj autoriteteve serbe
Bota demokratike të reagojë e të ndalë këto su*lme