Mosvaksinimi i fëmijëve, ja rreziqet – Ekonomia Online

Mosvaksinimi i fëmijëve, ja rreziqet

Këtë javë, një qark i New York ka deklaruar se
i ka ndaluar të gjithë fëmijët e pa vaksinuar nga të gjitha hapësirat publike
pas rritjes më të madhe të numrit të rasteve me fruth në dekadat e fundit.

Sipas CDC-së (qendrës për Parandalim dhe
Kontrollim të Sëmundjeve, më shumë se 180 raste të fruthit janë konfirmuar së
fundmi nga qyteti i New York.

Zyrtarët e Rockland kanë theksuar rëndësinë e
vaksinimit të fëmijëve, duke u bërë thirrje të gjithë prindërve ta bëjnë këtë.

Por, si funksionojnë vaksinat dhe çfarë
rreziqesh sjellin fëmijët e pa vaksinuar?

Më poshtë keni gjithçka çfarë duhet të dini.

Si funksionojnë vaksinat?

Qëllimi i vaksinave është ta ndihmojë trupin të
prodhojë antitrupa të cilët mund t’i luftojnë sëmundjet.

Kur një person bie në kontakt me një sëmundje,
nëse është vaksinuar kundër asaj sëmundje, sistemi i tij i imunitetit duhet të
jetë i aftë ta njohi atë sëmundje dhe t’i prodhojë antitrupat që nevojiten për
ta zhdukur shpejt atë.

Disa vaksina janë më efikase sesa tjerat.

P.sh., vaksina MMR, e cila na mbron kundër
fruthit, virusit të shytave dhe rubeolës, i furnizon pacientët me 90% mbrojtje
kundër sëmundjeve pas vetëm një doze.

Në anën tjetër, vaksina tifoid, të cilën e
marrin individët kur udhëtojnë te shtetet që kanë rrezik të lartë të tifoidit
dhe hepatitit A, i furnizon pacientët me rreth 70% mbrojtje për rreth tri vjet.

Cilat sëmundje janë eliminuar për shkak të
vaksinave?

Shumë sëmundje janë eliminuar falë vaksinave.
Në shekullin e 20-të, rreth 300 milionë njerëz kanë vdekur nga lija.

Në vitin 1980, ishte deklaruar se lija është
eliminuar thuajse krejtësisht, ku rasti i fundit i njohur ka ndodhur në Somali
në vitin 1977.

Sëmundjet tjera të cilat janë në rrugë për t’u
eliminuar krejtësisht për shkak të vaksinimit janë polio, kolla e keqe dhe
meningtisi C.

Cilat janë rreziqet e fëmijëve të pa vaksinuar?

Rreziku kryesor për një fëmijë që nuk është
vaksinuar është se do të ketë rrezik më të lartë të diagnostikohet me sëmundje
të dëmshme.

Pasi që trupat e fëmijëve të pa vaksinuar nuk
prodhojnë mjaftueshëm antitrupa për t’i luftuar sëmundjet, edhe jeta e tyre
mund të jetë në rrezik.

Megjithatë, nuk është vetëm shëndeti i tyre
arsye për t’u brengosur, por edhe mirëqenia e njerëzve përreth.

Nëse një fëmijë i pa vaksinuar diagnostikohet
me ndonjë sëmundje, ata kanë më shumë rrezik ta shpërndajnë te tjerët që nuk
janë vaksinuar.

Kjo përfshin edhe individët që nuk kanë mundur
të vaksinohen si pasojë e problemeve të ndryshme shëndetësore, ose tek
individët që janë shumë të vegjël për injeksione.

Por, ekziston edhe një mundësi e vogël se edhe
ata që janë të vaksinuar mund të sëmuren kur ekspozohen ndaj një virusi të
caktuar.

Vaksinimi për momentin i parandalon mes 2-3
milionë vdekje në vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Përse disa të rritur vendosin të mos i
vaksinojnë fëmijët e tyre?

Dy arsyet kryesore se përse disa prindër
vendosin të mos i vaksinojnë fëmijët janë vetëkënaqësia dhe mungesa e
vetëbesimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë së fundmi e
ka konsideruar lëvizjen e anti-vaksinimit si një prej kërcënimeve më të këqija
me të cilën përballet njerëzimi në vitin 2019.

Ky paralajmërim ka ardhur pas rritjes prej 30% të numrit të rasteve me fruth anë e mbanë botës, duke përfshirë edhe disa shtete ku sëmundja pothuajse ishte zhdukur fare. /mapo.al