Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Gollubovc të Malishevës, ku një person i dyshuar ka vrarë dy të tjerë, që rezultuan të jenë vëllezërit e gruas së tij.
I dyshuari, Astrit Isufi, është tashmë në arrati dhe është emër i njohur për organet e hetuesisë në vend. Viktimat, Driton Morina dhe Naim Morina, nuk i përballuan plagët nga arma e zjarrit dhe ndërruan jetë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Sipas informacionit të siguruar nga hetuesia, gruaja e të dyshuarit – dhe motra e viktimave – ka qenë në veturë me të në momentet kritike kur ka ndodhur krimi.
Policia ka intervistuar disa persona në cilësinë e dëshmitarëve, përfshirë familjarë të viktimave. Hetimet paraprake tregojnë se Isufi kishte shkuar fillimisht në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij. Pasi u largua disa metra, ai është kthyer dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve që ndodheshin para derës së shtëpisë.
I dyshuari ka pasur më parë aktakuza për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”. Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar paraburgim ndaj tij më 6 prill të këtij viti, dhe më 7 prill është ngritur aktakuzë për veprat penale të dhunës në familje dhe kanosjes.
Policia vazhdon kërkimin e të dyshuarit dhe hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes.



Të tjera
Haxhiu: Konjufca e bën qeverinë
Shtatë gabimet e pafalshme që bëjnë shumica e grave
Peci i bindur që fiton të dielën