MPB dhe komunat koordinohen për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Automjetet

MPB dhe komunat koordinohen për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Automjetet

Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka mbajtur një takim koordinues me përfaqësuesit e gjendjes civile nga komunat e Republikës së Kosovës, lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e Zyrave të Gjendjes Civile gjatë periudhës së zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, si dhe vendimeve të fundit të nxjerra nga Ministri i MPB-së.

Takimin e hapi Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, z. Jetmir Haziri, i cili theksoi se ky takim është në vazhdimësi të takimit të kaluar sa i përket mobilizimit për zbatimin e këtyre ligjeve, në mënyrë që të gjithë të jemi të përgatitur për sfidat që dalin në praktikë.

Me këtë rast, u theksua se të gjitha sfidat që kanë dalë nga takimi i kaluar janë adresuar në të gjithë mekanizmat, disa prej të cilave janë bërë edhe vendime të Ministrit të MPB-së, me qëllim të krijimit të lehtësirave në shërbime për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të huajt që vijnë në vendin tonë.

Gjatë takimit, zyrtarët e MPB-së dhe zyrat e gjendjes civile në të gjitha komunat e Kosovës vunë në dukje se do të angazhohen me kapacitet maksimal për zbatimin e drejtë të obligimeve që burojnë nga Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjete, si dhe vendimeve të fundit të ministrit. Po ashtu, u theksua se do të ketë koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunale me qëllim të adresimit të të gjitha sfidave të mundshme.

Në këtë proces, Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe institucionet relevante komunale, është në komunikim të përditshëm në mënyrë që të kryhen të gjitha veprimet sipas planifikimeve paraprake.

Kujtojmë që MPB, për më shumë se dy muaj, është duke bërë një fushatë intensive me qëllim të informimit të qytetarëve për obligimet karshi legjislacionit në fuqi në këtë proces dhe sigurimin që informacionet të arrijnë te qytetarët, të huajt dhe te vizitorët përmes formave të ndryshme të komunikimit.