Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrimit Civil, ka mbajtur sot një punëtori me përfaqësuesit e gjendjes civile nga komunat e Republikës së Kosovës, lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e Zyrave të Gjendjes Civile gjatë periudhës informuese të zbatimit të Ligjit për Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.
Punëtoria u hap nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili theksoi se, në kuadër të informimit të qytetarëve për fillimin e zbatimit të plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete nga 15 marsi 2026, pritet rritje e aplikimeve në zyrat përkatëse, ndaj kërkohet përgatitje dhe harmonizim i procedurave. Duke iu referuar takimit të 4 shkurtit 2026, ai shtoi se aty janë ngritur çështje që lidhen edhe me departamente të tjera të Ministrisë, çka e bëri të nevojshëm organizimin e kësaj punëtorie.
“Qëllimi është që të sqarojmë dhe të përmirësojmë mënyrën se si bashkëpunojmë në procesin e fitimit të shtetësisë, që nga kompletimi i dokumentacionit, te komunikimi ndërinstitucional mes jush dhe Ministrisë, e deri te zgjidhja e çështjeve praktike që ju përballni çdo ditë”, theksoi Sveçla.
Ai shtoi se qëllimi i punëtorisë është të dëgjohen sfidat që hasen në zbatim, të ndahen praktikat e mira nga komunat dhe të arrihen rekomandime konkrete për adresimin e çështjeve të identifikuara. Ai nënvizoi rëndësinë e trajtimit korrekt të çdo qytetari, duke siguruar që, kur një e drejtë nuk i takon ose dokumentacioni nuk është i plotë, qytetari të marrë shpjegim të qartë dhe të arsyetuar me shkrim. Sipas tij, kjo ndihmon institucionet të krijojnë një pasqyrë reale të problemeve në terren dhe të bazojnë politikat në sfidat praktike të qytetarëve dhe zyrtarëve.
Në përfundim, ministri theksoi se MPB do të ndërmarrë veprime brenda kompetencave ligjore për të adresuar sfidat e evidentuara, duke ftuar pjesëmarrësit të ndajnë hapur përvojat dhe të propozojnë zgjidhje konkrete.
Punëtoria po zhvillohet në kuadër të fushatës intensive informuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me synim lehtësimin e qasjes në informata dhe sigurimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi.



Të tjera
Unfollow nga të dyja palët, çfarë ndodhi mes Oltës dhe Leonorës?
4 ushqimet që forcojnë flokët
Vizita e parë e Peleshit në Kosovë në ditë historike