MPB po shqyrton mundësinë e kompensimit të orëve shtesë për ushtarët, policët… me ditë pushimi

As pas pothuajse dy javësh, pagesën për orët shtesë të punës gjatë marsit e në ndërrimin e natës, nuk e morën disa kategori të punonjësve të sektorit publik.

Këtu përfshihen ushtarët e FSK-së, infermierët, zjarrfikësit, gardianët dhe ata që zakonisht punojnë më së shumti jashtë orarit, zyrtarët policorë.

Për këta të fundit, burime brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë treguar për televizionin Dukagjini se po shqyrtohet mundësia që orët e punës shtesë të zëvendësohen me ditë pushimi.
Një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga MPB-ja e as nga institucionet tjera përgjegjëse, derisa nuk janë treguar as planet e ekzekutimit të shtesave.

Sipas ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, kolonel Refki Morina, forma e kompensimit me ditë pushimi nuk duhet të jetë opsion.

Kjo nuk do t’u përshtatej as zjarrfikësve të Kosovës.

Përfaqësues të tyre thonë se me vonesë të pagesës së shtesave janë përballur edhe herë të kaluara.

“Ndoshta nuk është në leverdi të zjarrfikësve të ndodhë ajo për shkak se ditët e pushimit për shkak të orëve të tepërta po t’i japim, mungesa e personalit do të jetë e dallueshme dhe mund të na pengoj në kryerjen e detyrave që i kemi para vetës”, ka thënë Mal Gashi – Komandant i Zjarrfikësve në Prishtinë.