Muharremi: Partia që lavdëron liderin me këngë hyn në botë joreale, larg realitetit të qytetarëve

Muharremi: Partia që lavdëron liderin me këngë hyn në botë joreale, larg realitetit të qytetarëve

Për besë, mua më erdhi turp kur e pashë videon dhe skenën me këngën që një ish-deputete, anëtare e partisë, ia kishte bërë kryetarit të vet, ish-kryeministrit apo KM në detyrë të Kosovës.

A jeni ju në vete?

Kështu as në Korenë e Veriut nuk funksionon propaganda. Ajo skenë është dukur sikur në Shqipërinë Komuniste të Enver Hoxhës. Edhe ata e kanë injoruar realitetin dhe kushtet e qytetarëve e gjithashtu ‘nuk kanë lëshu pe’ dhe kanë qenë thellësisht të izoluar ndërkombëtarisht.

Një parti politike që e anulon arsyen dhe trurin, dhe në vend të diskutimeve të brendshme për performancë, menaxhim të qeverisë dhe përgjegjësi politike, zgjedh me i thurë këngë lavdërimi kryetarit, ajo parti nuk ka perspektivë të shëndoshë.

Partia që nuk kritikon veten, që nuk e mat performancën, që nuk kërkon llogaridhënie, por verbohet nga adhurimi i liderit, hyn në një univers paralel. Një botë joreale, shumë larg jetës reale të qytetarëve dhe problemeve të Kosovës.

E ironia më e madhe është se bash ajo artiste, me gjithë respektin për të si person dhe këngëtare, që nuk e ka asnjë eksperiencë për politika publike dhe institucione është votuar më shumë në zgjedhjet e 9 shkurtit sesa disa nga personalitetet më serioze dhe më me përvojë që kemi në politikat publike (si psh AH dhe VÇ).

A po kuptohemi? Këtu ka diçka thelbësisht gabim, dhe nëse jemi serioz si shoqëri, kjo duhet me u korrigju.

Kjo parti këto momente është dashur me u brengosë për krejt këto pyetje reale:
-Pse jeta e kosovarit gjatë mandatit të tyre është bërë kaq e papërballueshme?
-Pse bizneset janë në pozitë kaq të vështirë?
-Pse po importojmë energji me qindra milionë në vit si kurrë më parë?
-Pse importet e mallrave janë kaq të larta, sa gati gjysma e ekonomisë që krijojmë, e deficitit tregtar në mallra ka shku 500 milonë në muaj e rreth 6 miliardë në vit?
-Pse ka aktualisht kaq shumë pasiguri dhe të panjohura për të ardhmen e shoqërisë dhe vendit?
-Pse kemi pozitën më të dobët ndërkombëtare në dekada?
-Pse marrëdhëniet me SHBA dhe BE janë kaq të dëmtuara?
… dhjetra pyetje tjera me rëndësi për publikun (lista shumë e gjatë)..

Krejt këto pyetje dhe çështje legjitime që e brengosin kosovarin janë kalu në heshtje, derisa janë thurur këngë e lavde sikur në Rusi apo në Koren e Veriut.

Fati i një partie që vendosë me anulu arsyen, logjikën dhe trurin kaq radikalisht është seriozisht në pikëpyetje.

Jo vetëm që është e dehur nga iluzionet, por as që e kupton realitetin dhe as që ka ndonjë terapi për me ndihmu veten, e leremë më Kosovën.