Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Paris, u takua me Ministren franceze të Bujqësisë, Annie Genevard.
Në këtë takim u diskutuan mundësitë për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Francës në sektorin e bujqësisë, shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira, si dhe nxitja e investimeve të reja franceze në Kosovë.
Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e bashkëpunimit institucional, me synim arritjen e marrëveshjeve konkrete që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe zonave rurale në të dy vendet, thuhet në njoftimin e MBPZHR.
Me këtë rast, ministri Muja theksoi gatishmërinë për bashkëpunim të hapur dhe konkret, duke vënë në pah prioritetet kryesore të institucionit që drejton.
“Jemi të hapur për bashkëpunim me Francën dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, me fokus të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve, si dhe avancimin e zhvillimit rural në Kosovë. Këto fusha janë thelbësore për rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve”, u shpreh Muja.
Vizita e ministrit Muja në Paris po zhvillohet në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Panairi Ndërkombëtar i Bujqësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme evropiane në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Kjo vizitë vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit ndërkombëtar dhe promovimit të potencialit bujqësor të Kosovës në arenën evropiane, konsideron MBPZHR.



Të tjera
5 ushqime që i keni larë gabim
Të përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke
Këshilli Organizativ për Epopenë mban takimin e parë, e bojkoton OVL UÇK-ja