Mujka e quan ‘Sulm politik kundër LVV-së në prag fushate’ aktakuzën për keqpërdorim të pozitës

Mujka e quan ‘Sulm politik kundër LVV-së në prag fushate’ aktakuzën për keqpërdorim të pozitës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurëve Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Faruk Mujka, në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe Hysen Muzliukaj, si drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, akuzohen se me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike.

Sipas Mujkës, aktakuza është plotësisht politikisht e bazuar.

‘’Aktakuza është plotësisht politikisht e bazuar. Momenti i ngritjes së saj në prag të fushatës e tregon qëllimin e qartë dhe unë këtu përdorem për t’u goditur kandidatët e LVV-së. E krejt kjo nga frika e kundërshtarëve politikë të LVV-së, e posaçërisht në Mitrovicë, nga rezultati që i pret më 12 tetor’’, ka deklaruar Mujka.

Ai ka theksuar se lajmi për aktakuzë më herët i ka shkuar mediave sesa avokatit të tij.

‘’Për mua ishte shumë indikative se si më parë lajmin e plasuan mediat se sa me shkuar e-maili te avokati. Sidoqoftë presim vendimin e Gjykatës se a konfirmohet aktakuza a jo’’, ka shtuar më tej ai.

Në fund Mujka ka thënë se ndihet tejet komod, pasi që e gjithë kjo sipas tij është vetëm një sajesë.

‘’Unë personalisht ndihem shumë komod, sepse e di që krejt është një sajesë dhe ata që e kanë përgatitë dhe këta që po e trumbetojnë do të mbulohen nga turpi, normalisht nëse e njohin këtë ndjenjë’’, ka thënë Mujka.