Mujka: Publikimet janë të motivuara politikisht dhe të sinkronizuara me zgjedhjet

Mujka: Publikimet janë të motivuara politikisht dhe të sinkronizuara me zgjedhjet

Faruk Mujka ka reaguar ndaj publikimeve të fundit të Lirim Mehmetajt, duke sqaruar se telefoni për të cilin është bërë fjalë në media është pronë e tij dhe nuk është “gjetur” nga gazetari, por ndodhet prej më shumë se dy vitesh në Policinë e Kosovës, konkretisht në sektorin e forensikës, përcjell Kosova Post.

Sipas Mujkës, telefoni është mbajtur nga hetuesi Idriz Gashi, i cili është suspenduar pasi kishte marrë pjesë në tubime politike të PDK-së dhe të Sami Lushtakut.

Ai paralajmëron se në ditët në vijim mund të publikohen materiale private nga jeta e tij personale dhe profesionale, përfshirë komunikime familjare dhe biseda me kolegë, të cilat – sipas tij – do të përdoren për të ndërtuar aludime dhe skenarë politikë në prag të zgjedhjeve.

Mujka thekson se emërimi i tij është bërë në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme, duke nënvizuar se është inxhinier me përvojë dhe se konkursin e ka fituar ndershëm, pa asnjë ndërhyrje apo favor politik.

Ai vlerëson se nxjerrja e kësaj çështjeje pikërisht në kohë zgjedhjesh ka për qëllim goditjen politike të tij dhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke shtuar se konsultimi me kolegë lidhur me kandidimin për pozitën e Kryeshefit në një ndërmarrje publike është praktikë e ligjshme dhe e natyrshme.

The post Mujka: Publikimet janë të motivuara politikisht dhe të sinkronizuara me zgjedhjet appeared first on Kosovapost.net.