Mungesa e një infrastrukture adekuate, që rezulton në bllokime të kanalizimeve, ka kohë që nxjerr në sipërfaqe ujërat e zeza, duke e shndërruar këtë çështje në një problem kronik, pa përjashtuar edhe derdhjen e drejtpërdrejtë në lumin Drenica.
Kundërmimi i ujërave të zeza, që tashmë kanë dalë mbi rrugë në kryqëzimin e rrugëve “Asllan Fazliu” dhe “Shaban Shala”, mbetet problem për banorët dhe mollë sherri mes pushtetit lokal dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.
“Përgjegjës për mirëmbajtjen e kanalizimit në qytetin Drenasit është KRU ‘Prishtina’”, tha Endrit Gllareva, drejtor i Infrastrukturës.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit ka nënvizuar se ka bërë disa herë intervenime për hapjen e pusetave, megjithatë problemi i bllokimit të kanalizimit nuk është zgjidhur. Për më tej, kompania thotë se edhe vetë komuna ka ndërhyrë, por pa rezultat.
Përderisa pushteti lokal dhe kompania rajonale e ujësjellësit po ia hedhin fajin njëra-tjetrës dhe ndërhyjnë edhe jashtë kompetencave, janë banorët ata që po pësojnë më së shumti dhe që presin një zgjidhje sa më të shpejtë.
“Si rrjedhojë e bllokimit të kanalizimit te hekurudha, në kryqëzimin e rrugëve ‘Asllan Fazliu’ dhe ‘Shaban Shala’, kanalizimi po kthehet dhe po del mbi rrugë te kjo puseta këtu dhe te ajo atje. Ka shkaktuar ndotje të ambientit”, tha një qyterar.
“Është problematike, pasi tash ka edhe qarkullim në këtë rrugë që kalon këndej edhe nga Skenderaji”, tha tjetri qytetar.
Ka kohë që ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe, sidomos në pjesën pranë hekurudhës, vend që tashmë është rrethuar me shirit pas një shembjeje, e cila sipas banorëve është shkaktuar nga bllokimi i një pusete. Kjo shembje për javë të tëra ka shkaktuar telashe në qarkullim, ndërkohë që mbulimi i saj është bërë nga persona joprofesionistë.
Sido që të jetë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit dhe Komuna e Drenasit janë duke shqyrtuar mundësinë e realizimit të një devijimi të trasesë së kanalizimit, me qëllim eliminimin e problemit. Ky rast paraqet ndërlikim të veçantë teknik, pasi në afërsi ndodhen dy linja hekurudhore Prishtinë–Pejë, ndërsa thellësia e rrjetit të kanalizimit tejkalon 4 metra.



Të tjera
6 gabimet në vitin e parë të martesës
Rikthim spektakolar: Ulpiana mposht Prishtinën dhe ngjitet në elitë
Pesë ligjet themelore të budallallëkut njerëzor