Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, i ka bërë një thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për të pezulluar menjëherë vendimin e fundit për tarifat e energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si një rrezik serioz për sektorin prodhues të vendit.
Në reagimin e saj, Shoqata thekson mungesën e përgatitjes institucionale dhe transparencës në implementimin e vendimit.
“Fakti që ende nuk kanë ardhur faturat, tregon qartë se nuk ka pasur as përgatitje minimale për zbatimin e këtij vendimi. Kjo situatë dëshmon mungesën e transparencës, planifikimit dhe konsultimit me palët e prekura”, thuhet në reagim.
Shoqata shpreh shqetësimin se ky vendim vjen në një moment tepër të ndjeshëm për industrinë vendore, e cila po përballet me sfida të shumta ekonomike.
Sipas Lidhjes së Bizneseve, rritja e menjëhershme e kostove të energjisë pa paralajmërim dhe pa asnjë konsultim me sektorin privat, mund të ndikojë rëndë në konkurrueshmërinë dhe mbijetesën e ndërmarrjeve vendore.
“Rritja e menjëhershme e kostove të energjisë, pa asnjë paralajmërim apo diskutim me sektorin privat, rrezikon jo vetëm konkurrueshmërinë, por edhe vetë mbijetesën e shumë ndërmarrjeve vendore”, thuhet mes tjerash në reagim,
Shoqata kërkon që ZRRE të tërheqë menjëherë vendimin dhe të nisë një proces të ri, të planifikuar dhe gjithëpërfshirës.
“ Kërkojmë nga ZRRE pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe fillimin e një procesi të përgjegjshëm, të hapur dhe të planifikuar për një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm në fushën e energjisë. Sektori prodhues duhet të trajtohet si partner strategjik, jo si viktimë e politikave të nxituara. Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të jetë gjithmonë pranë prodhuesve dhe bizneseve, në shërbim të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Të tjera
Meshkujt që nuk mund t’i bëjnë 10 pompa janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës
Krimi dhe politika: Zbulime nga vëllai i Dajakut për strukturat e financuara nga fondi i 3% të Bukoshit
Ushqimet që asesi nuk duhet t’i lani para gatimit