“Murati godet LDK-në: Prishtina po paguan faturat e dhjetorit me buxhet të vonuar – fajtor është mosvotimi i partisë!”

Komuna e Prishtinës i ka bërë sot kërkesë Thesarit që t’i bëhet alokim i parakohshëm i 1/12-tës së buxhetit të muajit dhjetor, me qëllim që ky buxhet të shfrytëzohet paraprakisht në nëntor. Sipas ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, kjo kërkesë ka ardhur për të mundësuar pagesën e disa faturave të grumbulluara, përfshirë ato të energjisë elektrike.

Murati thotë se megjithëse ky veprim nuk e zgjidh problemin, por vetëm e shtyn atë, Thesari do ta miratojë alokimin e parakohshëm për të mundësuar shlyerjen e një pjese të obligimeve.

“Dhjetori mbetet pa buxhet, por duke e parë situatën, Thesari do të bëjë këtë alokim në mënyrë që të paguhen disa prej faturave tash”, deklaroi ai.

Ministri në detyrë theksoi se zgjidhja reale do të ishte miratimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës, i cili sipas tij do të duhej të votohej pardje. Ai akuzoi LDK-në dhe kreun e saj, Lumir Abdixhikun, se nuk morën pjesë fare në seancë, duke pamundësuar kështu miratimin e buxhetit.

Postimi i plotë:

Komuna e Prishtinës sot ka bërë kërkesë në Thesar që t’u bëhet alokim i parakohshëm i 1/12-tës së buxhetit të paraparë për muajin dhjetor.

Pra, buxhetin që do duhej të shpenzohet në dhjetor, ta kenë mundësinë ta shpenzojnë më herët në muajin nëntor, me qëllim që të paguajnë disa prej faturave që janë grumbulluar, përfshi edhe ato të energjisë elektrike.

Megjithëse kjo nuk e zgjidh problemin por vetëm e vonon, sepse pastaj dhjetori mbetet pa buxhet, marrë parasysh situatën Thesari do të bëjë këtë alokim të parakohshëm në mënyrë që një pjesë e faturave të paguhen tash.

Zgjidhja e problemit do të ishte nëse pardje LDK-ja do ta votonin së paku buxhetin e Prishtinës, dhe pastaj fare s’do të kishte nevojë për këso improvizime.

Për më keq, dje tentuan që të keqpërdorin edhe prindërit e fëmijëve në çerdhe duke u munduar që t’ia hedhin fajin Ministrisë së Financave, për buxhetin të cilin vetë LDK-ja nuk e votoi.