Musk ia kishte ndërprerë qëllimisht internetin ukrainasve gjatë kundërofensivës ndaj Rusisë

Musk ia kishte ndërprerë qëllimisht internetin ukrainasve gjatë kundërofensivës ndaj Rusisë

Sipas një raportimi të agjencisë Reuters, Elon Musk urdhëroi ndërprerjen e shërbimit satelitor Starlink në jug të Ukrainës gjatë kundërofensivës së saj në vitin 2022 në rajonin e Khersonit.

Ky veprim shkaktoi ndërprerje të menjëhershme në komunikimet ushtarake dhe operacionet me dronë, duke ndikuar ndjeshëm në ecurinë e luftës.

Në atë periudhë, forcat ukrainase ishin në prag të një rrethimi strategjik të trupave ruse. Megjithatë, ndërprerja e papritur e shërbimit të internetit satelitor e bëri të pamundur koordinimin mes njësiteve luftarake, duke detyruar ushtrinë ukrainase të ndalojë përkohësisht avancimin dhe të rishikojë planet e saj operacionale.

Ky incident ka ngjallur shqetësime serioze në nivel ndërkombëtar lidhur me ndikimin që figura private si Elon Musk mund të kenë në konflikte globale, veçanërisht kur teknologjia që zotërojnë luan një rol kyç në fushën e betejës.

Starlink, rrjeti satelitor i kompanisë SpaceX, është bërë një element i rëndësishëm për komunikimet ushtarake të Ukrainës që prej fillimit të pushtimit rus në shkurt 2022.

Veprimi i Musk nxori në pah rreziqet e varësisë nga një ofrues privat për infrastrukturë kritike në kohë lufte.

Vendimet individuale të tij, pa ndonjë kontroll institucional apo ndërkombëtar, mund të kenë pasoja të gjera për sigurinë e vendeve të përfshira dhe për balancën gjeopolitike në botë.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme , Starlink nuk ka punuar rreth 3 orë. SpaceX tha se shkaku ishte një problem i brendshëm i softuerit, i cili tashmë është rregulluar.