Manifestimi i maturantëve në Mitrovicën e Veriut, Sveçla: Disa pjesëmarrës i provokuan qytetarët me tre gishta dhe thirrje shoveniste

Musliu për defilimin e maturantëve serb: Nuk është festë, provokim

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, që është drejtues bordi i institutit “Octopus”, ka thënë se Serbia përmes strukturave të saj ilegale në veri, të dirigjuara, sipas tij, nga terroristi Radoiçiq po i edukon të rinjtë me urrejtje dhe nacionalizëm të verbër.

Sipas tij. kur në mes të qytetit dëgjohen thirrje si nacionaliste, nuk është festë, por provokim.

“Serbia përmes strukturave të saj ilegale në veri, të dirigjuara nga terroristi Radojqiq po i edukon të rinjtë me urrejtje dhe nacionalizëm të verbër! Kur në mes të qytetit dëgjohen thirrje si: “Kosova është zemra e Serbisë”, “Vidovdani”, “Uaa shqiptarë”, “Oj Kosovë, zemra e Milloshit”, kjo nuk është festë por provokim. Është mesazh frikësimi për shqiptarët që jetojnë aty dhe për secilin që beson në bashkëjetesë dhe paqe. Pra, një instrumentalizim i rinisë në funksion të një agjende të rrezikshme politike nga Beogradi”, shkroi ai.

Për këtë defilim të maturantëve serb që kaloi në provokime nga ta, kishte reaguar dje edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Zveçla.

Ai kishte thënë se pas njoftimit, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë të gjitha hapat që sigurojnë mbarëvajtje të plotë të këtij manifestimi.

“Gjatë manifestimit, disa pjesëmarrës kanë filluar provokimet ndaj qytetarëve të pranishëm në shesh me simbole nacionaliste dhe thirrje shoviniste “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me simbolin e tre gishtave që jo vetëm përkujtojnë spastrimin etnik dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, por manifestojnë edhe pretendimet që ky shtet ka ndaj Republikës sonë”, shkroi pas kësaj situate, Sveçla.

Policia e Kosovës kishte demantuar se në Mitrovicë të Veriut kishte protestë, siç kishte disa raportime.

“Gjatë festimit të maturës kanë ndodhur disa provokime dhe me qëllim evitimin e ndonjë përshkallëzimi Policia ka reaguar. Situata është qetësuar dhe maturantët kanë vazhduar festën e tyre pa pasur nevojë për reagim shtesë”, tha Policia e Kosovës.