Na presin sfida të mëdha, sporti i notit është vlera më e madhe – Ekonomia Online

Na presin sfida të mëdha, sporti i notit është vlera më e madhe

Federata e Notit e Kosovës ka paraqitur rezultatet e saj përmes një video që shfaq në ekran, teksa ishte organizuar ceremonia “Laureatët e Vitit 2025”, ngjarje kjo e dedikuar shpërblimit dhe vlerësimit të sportistëve, trajnerëve dhe kontribuuesve më të dalluar në sportin e notit gjatë vitit 2025-të, raporton Ekonomia Online.

Para ndarjes së çmimit, që do të fillonte me atë “Shpresa e Vitit”, foli zëvendëspresidenti i federatës, Haxhiu Musa, i cili tha se sporti i notit është vlera më e madhe, por nënvizon se edhe krahas sfidave të mëdha, Federata e Notit gjatë vitit që lamë pasë, atij 2025, shënoi suksese.

 “Edhe pse krahas sfidave shumë të mëdha, federata e Notit gjatë vitit 2025 bëri shumë përpjekje që ky vit të kulmojë me suksese të mëdha dhe rritjen e numrit të garuesve si dhe ngritjen e cilësisë së garuesve në sportin e notit. Por ajo që ia vlen e që është kryesorja, është ta falënderojmë Presidenten, e cila për momentin është e ngarkuar me detyrë e nuk është prezentë. Rita Zeqirin që bëri të pamundur që ta përfaqësojë federatën e notit në mënyrë sa më dinjitoze e cila ishte pjesëmarrëse në disa aktivitet ndërkombëtare”, tha ai.

Musa theksoi se federatën e presin shumë sfida, duke përmend edhe Lojërat mesdhetare.

“Mendoj që na pret një sfidë shumë e madhe për 2026 që të mobilizohemi të gjithë dhe të nxjerrim një kualitet shumë më të lartë sepse viti 2027 është shumë afër por edhe viti 2030 ku do të mbahen Lojërat mesdhetare do të jenë shumë më afër sepse diku rreth 40 për qind e Lojërave Mesdhetare janë pjesë  e ujit. Neve na presin detyra të mëdha dhe të mobilizohemi.  Sporti i notit është vlerë e madhe”, theksoi Musa.

Çmimi “Shpresa e vitit” iu dha Vesa Mehmetaj, Arif Makolli, Rin Mehmeti.