Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm, ndërsa tregjet financiare globale kanë shënuar rritje, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-ja dhe Irani kanë zhvilluar bisedime për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Pas deklaratës së tij në rrjetin Truth Social, çmimi i naftës Brent pësoi rënie të menjëhershme, ndërsa aksionet në Evropë dhe SHBA u rritën. Trump tha se palët kanë diskutuar për një zgjidhje “të plotë” dhe se do të shtyjë për pesë ditë sulmet ndaj centraleve energjetike iraniane, raporton BBC.
Megjithatë, media shtetërore iraniane ka mohuar se ka pasur bisedime me SHBA-në.
Deklaratat e fundit vijnë pas paralajmërimeve të mëhershme të Trump, i cili kishte kërcënuar se do të “shkatërronte” centralet iraniane nëse nuk rihapej Ngushtica e Hormuzit brenda 48 orësh. Nga ana tjetër, Irani kishte paralajmëruar kundërpërgjigje ndaj infrastrukturës kyçe në rajon.
Këto zhvillime kishin tronditur tregjet gjatë fundjavës, duke rritur frikën për një përshkallëzim të gjatë të konfliktit SHBA-Izrael me Iranin.
Të hënën, çmimi i naftës Brent arriti deri në 113 dollarë për fuçi, por më pas ra në 96 dollarë, përpara se të stabilizohej rreth 103 dollarë.
Ndërkohë, tregjet e aksioneve shënuan rimëkëmbje:
Indeksi britanik FTSE 100 u rrit me 0.3%, pasi më herët kishte rënë mbi 2%
Indeksi gjerman DAX u rrit me 1.7%
Indeksi francez CAC shënoi rritje prej 1.2%
Në SHBA, indeksët kryesorë si S&P 500 dhe Dow Jones u hapën me rritje rreth 2%.
Në Azi, tregjet që u mbyllën para deklaratës së Trump pësuan rënie të theksuar:
Nikkei i Japonisë ra me 3.5%
Kospi i Koresë së Jugut u ul me 6.5%
Japonia dhe Koreja e Jugut janë veçanërisht të prekura nga situata, pasi varen shumë nga furnizimet me naftë dhe gaz që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
Që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, Irani ka bllokuar në mënyrë efektive këtë korridor detar, përmes të cilit kalon rreth 20% e naftës dhe gazit të lëngshëm në nivel global, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të energjisë./rtk



Të tjera
Lu*fta kundër Iranit është paradhomë e asaj kundër Turqisë?!
Kosova do ta kujtojë me mirënjohje
Mënyrat për të disiplinuar fëmijët tuaj, pa u bërtitur