Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se i është drejtuar Prokurorisë Speciale të Kosovës për ta njoftuar për, siç thotë, shkeljet ligjore dhe nga ky institucion tha se ka kërkuar fillimin e procedurës penale në lidhje me procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Nagavci tha se Prokurorinë e ka informuar edhe për atë se personat e dyshuar, sipas saj, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, kanë kryer së paku tri vepra penale, si “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës” dhe “Bashkëkryerja”.
“Në bazë të raporteve dhe dokumenteve zyrtare të pranuara deri më tani, është konstatuar se kemi të bëjmë me veprime të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të pozitave të caktuara dhe beneficioneve të pozitës, duke mos respektuar dispozitat ligjore në fuqi dhe në tejkalim të autorizimeve dhe kompetencave ligjore”, tha Nagavci.
Ajo shtoi se pret që ky rast të trajtohet me seriozitetin e duhur nga organet kompetente dhe që “përgjegjësit të përballen me drejtësinë në përputhje me ligjin”.
Të hënën, MASHTI njoftoi për anulimin e vendimit për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik.
Sipas Ministrisë, kjo u bë “për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore gjatë procesit të zgjedhjes”.



Të tjera
6 gjërat që fëmijët i trashëgojnë vetëm nga babai i tyre
Begaj pret ambasadorët në takimin e parë të vitit: Rruga drejt BE, proces transformues
Kurti mirëpret Apostullin Nyamekye në Prishtinë