Ndër emrat më të përmendur në dosjen Epstein, Bill Gates: Pendohem për çdo minutë që kam kaluar me të

Bill Gates ka deklaruar se pendohet për “çdo minutë” që kaloi me të dënuarin për abuzim seksual, Jeffrey Epstein, duke mohuar akuzat e përfshira në emailet e publikuara nga autoritetet amerikane javën e kaluar.

“Për çdo minutë që kalova me të, pendohem dhe kërkoj ndjesë”, tha Gates për 9News Australia në një intervistë të transmetuar të mërkurën.

Pasi Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së publikoi gati 3 milionë faqe të reja me dokumente të lidhura me Epstein javën e kaluar, dolën në sipërfaqe email-e të padërguara që bënin pretendime për Gates.

“Me sa duket, Jeffrey i shkroi një email vetes. Ai email nuk u dërgua kurrë. Emaili është i rremë,” tha Gates. “Nuk e di se çfarë mendonte ai aty. A po përpiqej të më sulmonte në ndonjë mënyrë?”

Në një nga draftet që shkroi në vitin 2013, Epstein pretendoi se Gates ishte i përfshirë në afera jashtëmartesore, duke shkruar se marrëdhënia e tij me Gates varionte nga “ndihma për Billin për të siguruar drogë, me qëllim që të përballonte pasojat e seksit me vajzat ruse, deri te lehtësimi i takimeve të tij të paligjshme me gra të martuara”.