I. Para Gazës: Iluzioni i moralit
Para Gazës, bota fliste për të drejtat. Për të drejtat e njeriut, për të drejtën e njerëzve për vetëvendosje, për të drejtën e mbrojtjes, sigurisë, drejtësisë. Janë shkruar dokumente, janë nënshkruar konventa, janë festuar përvjetorët e Kartës së OKB-së. E drejta ndërkombëtare ishte si kodi i vjetër – i rafinuar, por i larguar. Evropa e mësoi Holokaustin në shkolla, Amerika e mbështeti demokracinë, bota e qytetëruar betohej për rregulla që supozohej të ishin mbi historinë. Por e gjithë kjo u dogj si letër kur raketat e para ranë mbi shtëpitë palestineze.
Hannah Arendt shkroi për “banalitetin e së keqes” – se si krimet më të mëdha nuk vijnë nga përbindëshat, por nga njerëzit që bëjnë punën e tyre pa menduar. Para Gazës, e keqja ishte sistematike, e heshtur, pa dritën e reflektorit. Dhe pikërisht për këtë arsye mbijetoi.
II. Gjatë Gazës: Gjenocidi i drejtpërdrejtë
Dhe pastaj erdhi Gaza. Jo ajo nga analizat gjeopolitike, jo nga raportimet e lajmeve – por Gaza drejtpërdrejt. Gaza ku fëmijët vdesin para kamerave. Gaza ku nuk ka më spitale, as ujë, as oksigjen, as heshtje. Gaza ku bota nuk shikon arkiva, por transmeton. Gaza ku, për herë të parë, gjenocidi nuk po ndodh pas mureve të kampit, por para syve të planetit.
Albert Kamy shkroi se të jesh njeri do të thotë të jesh kundër asaj që e degradon njeriun. Nëse ka diçka që e përcakton epokën tonë, ajo është fjalia e Kamysë nga “Njeriu i rebeluar”: – Unë rebelohem, prandaj ekzistoj. Në heshtjen e botës ndaj Gazës, zhduket edhe e drejta themelore për t’u rebeluar – sepse bota është e topitur.
Sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948, aktet e shkatërrimit të qëllimshëm të një pjese ose të të gjithë një populli – duke përfshirë vrasjet masive të civilëve, shkatërrimin e infrastrukturës së nevojshme për mbijetesë – përbëjnë gjenocid të përcaktuar ligjërisht. Këtu thirret e drejta ndërkombëtare, por injorohet.
III. Pas Gazës: Një botë pa alibi – pa justifikime
Pas Gazës asgjë nuk do të jetë e njëjtë. Jo për shkak të numrit të të vdekurve – sepse shifrat, sado të tmerrshme, nuk janë të reja në histori. Por për shkak të faktit se bota po shikon – dhe nuk po reagon. Pas Gazës, ndërgjegjja e njerëzimit nuk ka më alibi – nuk ka justifikim.
Frantz Fanon, në “Të përçmuarit e botës“, flet për mënyrën se si dhuna në kontekstin kolonial jo vetëm që e shkatërron trupin, por e shkatërron edhe shpirtin. Në Gaza, nuk bëhet fjalë vetëm për territorin – por bëhet fjalë për dinjitetin. Mbi të drejtën e popullit për të ekzistuar si subjekt i barabartë i historisë.
Kombet e Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare Penale, Konventat e Gjenevës – të gjitha këto institucione u ftuan, por mbetën pa zë. Sepse kur ligji varet nga vullneti gjeopolitik, ai pushon së qeni ligj, por bëhet instrument i pushtetit.
IV. Dhe çfarë mbetet?
Mbetët Gaza dhe heshtja e saj. Mbesin fjalët nga hiri, si guri i varrit i Mak Dizdarit. Mbetet lutja që askush nuk e dëgjon, por që të gjithë e dinë. Mbetet një brez që u rrit duke shikuar se humanizmi ka çmim, kurse e vërteta – ka audiencë të heshtur.
Por mbetet shpresa. Sepse pas çdo gjenocidi, historia kthehet – dhe rigjykon. Jo gjithmonë menjëherë, por gjithmonë. Kjo është shpresa: që Gaza, ashtu si Aushvici, si Sabra dhe Shatila, si Srebrenica, një ditë do të jetë një vend kujtese që askush nuk mund ta fshijë.
Kjo është arsyeja, pse unë nuk e shkruaj ndërgjegjen e njerëzimit si gjykatës që dënon, por si dëshmitar. Sepse nëse kemi mësuar diçka nga Gaza, ajo është se ndërgjegjja nuk është kolektive – por ajo është personale. Secili prej nesh e di se ku ishte kur ranë bombat. Dhe ose heshtte ose fliste. Këtu nuk ka më rrugë të mesme.
V. Reflektim filozofik: Ndërgjegjja dhe dinjiteti njerëzor
Ndërgjegjja nuk është instrument ligjor, as slogan politik. Ajo është, siç do të thoshte Søren Kierkegaard, gjyq i brendshëm dhe kujtesë e heshtur që na ndan nga masa. Ndërgjegjja nuk është votim kolektiv, por është përgjegjësi personale para së vërtetës që nuk na lë edhe kur të gjithë të tjerët na lënë. Në Gaza, ku rregullat janë shkelur dhe e vërteta shtypet sistematikisht, ndërgjegjja është bërë bastioni i fundit i njerëzimit.
Simone Weil shkruan se drejtësia e vërtetë ndihet nga ai që vuan, jo nga ai që diskuton për të. Në këtë frymë, e vërteta e vërtetë për Gazën nuk është në raporte, por në sytë e nënave që nuk kanë më fëmijë, në heshtjen e fëmijëve që nuk kanë më shkolla, në hirin që e ka zëvendësuar tokën. Kur filozofia hesht përballë dhimbjes, ajo pushon së qeni filozofi. Kjo është arsyeja pse është detyra e njeriut që mendon sot – të flasë, të dëshmojë dhe të mbajë mend.
VI. Poezia si dëshmi
Poezia ka qenë dhe mbetet një formë dëshmie kur ligji dështon dhe faktet shndërrohen në manipulim. Maḥmūd Dervish, poeti palestinez, në vargjet e tij nuk shkruan për kombin – por ai shkruan për dhimbjen. Fjalia i tij “Në këtë tokë ka diçka që ia vlen të jetohet“, mbetet si kundërpeshë ndaj çdo tanku, çdo predhe, çdo justifikimi.
Në frymën e Mak Dizdarit dhe të gjumashit të tij prej guri, Gaza tani është një vend me varre të pagojë. Çdo shtëpi e shkatërruar, çdo shkollë e rrhuar, çdo spital i zhdukur – bëhet epitaf. Në këtë kontekst, poezia bëhet arkiv i ndërgjegjes, e vetmja e vërtetë që nuk mund të fshihet nga regjistrimet, sepse ngulitet në zemër.
VII. Korniza ligjore dhe heshtja institucionale
Konventa e vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit e përcakton qartë shkatërrimin e qëllimshëm të një populli ose të një pjese të një populli si gjenocid. Në rastin e Gazës, shumë nga këto kritere përmbushen: vrasje masive të civilëve, përfshirë fëmijët; shkatërrimi i infrastrukturës së nevojshme për mbijetesë; bllokim i mjeteve themelore të jetesës; zhvendosja e detyruar e popullsisë. Pavarësisht kësaj, institucionet ndërkombëtare – përfshirë GJPN-në dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së – kanë mbetur pasive ose shumë selektive.
Ky zbatim selektiv i të drejtave çon në erozionin e besimit ndaj normave ndërkombëtare. Nëse drejtësia zbatohet vetëm kur është politikisht e përshtatshme, atëherë ajo nuk është drejtësi, por është mjet i pushtetit. Praktika të tilla jo vetëm që destabilizojnë rajone si Lindja e Mesme, por edhe e dëmtojnë vetë idenë e rendit ndërkombëtar.
Dr. Mustafa Cerić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
Të tjera
Kushtetueses së sulmuar nga pushteti i vjen mbështetja nga SHBA’të – edhe 12 ditë afat për vendim, a do të zhbllokohen institucionet
Mosmarrëveshje me Fodan? Emir Sahiti sqaron situatën
Melinda merr propozimin për martesë