Dy vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, kryekrimineli Millan Radoiçiq është ende i lirë, madje edhe vendbanimin e ka të regjistruar në Beograd.
Këtë e konfirmon një përgjigje zyrtare nga Gjykata e Lartë në Beograd, dhënë REL, ku bëhet e ditur se ndaj Radoiçiqit është zgjatur masa e ndalimit të largimit nga territori i Serbisë. Ai është i detyruar të paraqitet në polici më 1 dhe 15 të çdo muaji. Sipas të njëjtës përgjigje, Radoiçiq po i respekton këto masa, dhe për herë të fundit është paraqitur në stacionin policor të Savski Venacit më 15 shtator të këtij viti.
Megjithatë, duke pasur parasysh lidhjet e tij të afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, shumëkush e sheh me skepticizëm seriozitetin e autoriteteve serbe për ta hetuar apo ndëshkuar realisht rolin e Radoiçiqit në sulmin terrorist ndaj Kosovës.
Së fundmi, për këtë çështje ka reaguar edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Në një deklaratë publike, ai theksoi nevojën urgjente për drejtësi në rastin Banjskë:
I pyetur nëse ndëshkimi i autorëve duhet të jetë parakusht për vazhdimin e dialogut Kosovë–Serbi, ambasadori u shpreh:
“Mendoj se fillimisht është çështje për autoritetet serbe, dhe ne, në mënyrë të qëndrueshme dhe të rregullt, flasim me autoritetet serbe për këtë. Nuk dua të hyj në atë se çfarë ndodh më pas, sepse para së gjithash, kjo është çështje e sistemit gjyqësor serb. Por, është vërtet e rëndësishme që drejtësia të ndodhë. Ne nuk mund të vazhdojmë me pandëshkueshmërinë për atë sulm të tmerrshëm. Duhet të ketë veprime kundër zotit Radoiçiq dhe bashkëpunëtorëve të tij.”
Mirëpo, në situatën që jemi sa janë gjasat që Radoiçiq të sillet para drejtësisë, folën avokatët.
Bajraktari: Autorët e ngjarjes së Banjskës, vështirë se mund të sillen para organeve tona të drejtësisë
Si fillim, avokati Ardian Bajraktari u shpreh se është shumë e vështirë që autorët e Banjskës, përfshirë Radoiçiqin në sillen në Kosovë.
Madje, ai në prononcimin e tij u shpreh se gjykimi në mungesë ndaj tyre nuk mund të zhvillohet.
“Autorët e ngjarjes së Banjskës, përkatësisht 42 prej tyre të cilët aktualisht janë të paqasshëm për organet e drejtësisë, vështirë se mund të sillen para organeve tona të drejtësisë për t’u përballur me akuzat.
Sipas kualifikimit të prokurorisë, veprat me të cilat ata akuzohen, e po ashtu sikurse ka vendosë tashmë gjykata, gjykimi në mungesë ndaj tyre nuk mund të zhvillohet”.
Krahas kësaj, avokati theksoi se vetëm presioni ndërkombëtar mund ta detyrojë Serbinë t’i sjellë të akuzuarit për t’u ballafaquar me akuza.
“Prandaj, vetëm me një presion të shtuar nga faktori ndërkombëtar në drejtim të shtetit serb do të bënte të mundur detyrimin e këtij të fundit që të akuzuarit e ngjarjes së rëndë dhe tragjike të Banjskës ti sjellë për t’u ballafaqu me akuzat”, përfundoi Ardian Bajraktari.
Curri: Serbia nuk do ta dorëzojë Radoiçiqin, sepse ai është produkt i tyre
Ndërsa, avokati tjetër, Agron Curri vlerëson se autorët e sulmit terrorist në Banjskë do duhej të ishin para drejtësisë, por që Serbia po i mbron të akuzuarit.
“Rasti i Banjskës është një akt terrorist i rëndë dhe drejtësia ende mungon për heroin Afrim Bunjaku. Millan Radoiçiq dhe grupi i tij, ne rrethana normale duhet të dorëzohen para drejtësisë mirëpo është e qartë se Serbia po i mbron ata”, deklaroi ai.
Po ashtu, Curri konsideron se nuk mjaftojnë vetëm deklaratat nga ndërkombëtarët, por duhet marrë masa dhe sanksione ndaj Beogradit.
“Prandaj, presioni i ndërkombëtarëve është i domosdoshëm. Nuk mjaftojnë vetëm deklaratat, por duhen edhe veprime konkrete, qoftë përmes sanksioneve, qoftë përmes kushtëzimeve politike ndaj Serbisë, që të detyrohet të dorëzojë autorët”.
Në fund, avokati shtoi se, Serbia më parë do ta donin të vdekur Radoiçiqin, se sa ta dorëzonin para drejtësisë.
“Megjithatë, unë mendoj se Serbia nuk do ta dorëzojë Radoiçiqin, sepse ai është produkt i tyre. Madje, ata do ta dëshironin më shumë të vdekur sesa para drejtësisë, pasi në atë rast do të zbuloheshin organizatoret dhe prapaskenat e lidhjeve të tij me qeverinë e Serbisë dhe vetë kryeministrin Vuçiq”, përmbylli Agron Curri



Të tjera
Përdorni birrë për shkëlqimin e flokëve dhe lëkurës
Gratë që përdorin antibiotikë më të rrezikuara nga sëmundjet e zemrës
Duhet apo jo ta ruash bukën në frigorifer?