Nga: Agim Vuniqi
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e votimit në Kuvend, në rastin e zgjedhjes së kryekuvendarit, ka hapur një debat të ri mbi kufijtë e interpretimit kushtetues. Jo për rezultatin aritmetik të votave, por për mënyrën se si Gjykata ka zgjedhur të mos sqarojë një element thelbësor: pse u përjashtua votimi i fshehtë, edhe pse është një parim kushtetues i demokracisë parlamentare.
Parimi i votimit të fshehtë si garanci kushtetuese
Në demokracitë bashkëkohore, votimi i hapur dhe ai i fshehtë nuk janë çështje teknike, por garanci politike e juridike:
– Votimi i hapur është instrument i transparencës dhe i llogaridhënies.
– Votimi i fshehtë është mburojë e ndërgjegjes së lirë të deputetit, që e mbron atë nga presioni i partive, i grupeve të interesit apo i faktorëve të jashtëm
Kushtetuta e Kosovës nuk e përcakton qartë këtë situatë për rastin e kryekuvendarit, prandaj Gjykata Kushtetuese kishte detyrimin që të jepte një interpretim të qartë – qoftë duke e lejuar, qoftë duke e ndaluar – me arsyetim të plotë. Heshtja e saj krijon precedent të rrezikshëm: Gjykata bëhet aktore që hesht aty ku Kushtetuta ka zbrazëtira.
Kujtesa historike e standardeve të dyfishta
Precedentët e kaluar tregojnë se praktika ka qenë e ndryshme:
2001–2002: Presidenti Rugova, Kryeministri Rexhepi dhe Kryetari i Kuvendit Daci u zgjodhën me procedurë votimi të hapur (jo të fshehtë), pa u kontestuar kushtetutshmëria.
2015: Gjykata Speciale u miratua pas dy dështimeve, përfundimisht me votim të hapur.
2016: 8.300 hektarë iu kaluan Malit të Zi me procedurë të njëjtë, përsëri pa reagim nga Gjykata.
Pse atëherë nuk pati ndërhyrje kushtetuese, kurse sot pati? Ky selektivitet e vë në dyshim neutralitetin institucional dhe sugjeron që Gjykata mund të ketë kaluar nga interpretuese në rishkruese të Kushtetutës.
Ratio decidendi dhe obiter dicta
Çdo vendim gjyqësor serioz ndërtohet mbi dy shtylla:
Ratio decidendi – arsyeja themelore për vendimin. Ky është argumenti juridik kryesor, që e bën të detyrueshëm vendimin. Në rastin konkret, Gjykata nuk e ka ofruar dot një ratio decidendi të qartë përse votimi i fshehtë nuk është i zbatueshëm. Ky boshllëk është problem themelor.
Obiter dicta – shpjegimet shtesë, që ndihmojnë të kuptohet konteksti, pa qenë detyrimisht pjesë e vendimit. Gjykata mund të kishte përdorur këtë mjet për të sqaruar pse tradita parlamentare e Kosovës ka qenë drejt votimit të hapur, ose pse një ndryshim do të kërkonte amendament kushtetues. Por edhe këtu heshtja ishte dominuese.
Praktikisht, vendimi mbeti pa themel të qartë juridik dhe pa koment shpjegues – duke lënë pas vetes më shumë mjegull se dritë.
Restitutio in integrum: e drejta e palës së dëmtuar
Një parim i së drejtës romake, restitutio in integrum, nënkupton rikthimin në gjendjen e mëparshme kur një palë dëmtohet nga një vendim ose procedurë.
Në këtë kontekst, kryesuesi i seancës – si palë e prekur – ka të drejtë t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, jo për të sfiduar rezultatin e zgjedhjes, por për të kërkuar një interpretim të plotë mbi këtë boshllëk. Kjo do t’i shërbente jo vetëm atij personalisht, por edhe vetë rendit kushtetues, që kërkon konsistencë dhe qartësi.
Rreziku i rishkrimit të Kushtetutës Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat të bëjë amendamente të heshtura. Kushtetuta ndryshohet në Kuvend, me shumicë të kualifikuar, jo nga gjyqtarë me vendime që mungojnë në ratio decidendi.
Nëse ky standard bëhet praktikë, atëherë çdo zbrazëti kushtetuese mund të “mbushet” nga Gjykata me vendime ad hoc – duke e shndërruar atë në një “legjislator të heshtur”, gjë që është në kundërshtim me frymën demokratike.
Gjykata Kushtetuese nuk mund të mbetet gjykatë e heshtjes. Nëse nuk sqaron pse votimi i fshehtë nuk zbatohet, atëherë rrezikon të perceptohet si gjykatë që bën politikë, jo drejtësi.
Interpretimi i Kushtetutës kërkon ratio decidendi të qartë dhe obiter dicta të dobishme; përndryshe, shndërrohet në rishkrim të Kushtetutës me vendime selektive. Në një demokraci të brishtë si Kosova, kjo nuk është thjesht çështje juridike – është çështje mbijetese institucionale.
Të tjera
Edhe Bekë Berisha e votoi Dimal Bashën, tregon arsyet
Ukraina godet një central bërthamor në Rusi
Pas Muratit, dështon edhe Arbërie Nagavci për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit