Ndeshje me rrezikshmëri të lartë, shtohen masat e sigurisë para duelit Sllovaki-Kosovë – Ekonomia Online

Ndeshje me rrezikshmëri të lartë, shtohen masat e sigurisë para duelit Sllovaki-Kosovë

Në Bratislavë janë ndërmarrë masa të rrepta sigurie në prag të përballjes mes Sllovakisë dhe Kosovës, e vlefshme për gjysmëfinalen e “play-off”-it kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Autoritetet vendase kanë konfirmuar se gjithçka është organizuar për të garantuar një mbarëvajtje të qetë të këtij eventi të rëndësishëm sportiv.

Ndeshja do të zhvillohet sonte në stadiumin kombëtar të Bratislavës, me fillim nga ora 20:45, ndërsa institucionet e sigurisë kanë paralajmëruar prani të shtuar të forcave policore para, gjatë dhe pas takimit.

“Qëllimi i masës së sigurisë do të jetë mbrojtja e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve, sigurimi i rendit publik, si dhe siguria dhe rrjedha e qetë e trafikut rrugor në Bratislavë. Ne u bëjmë thirrje tifozëve që planifikojnë të marrin pjesë në këtë ngjarje sportive të ndjekin udhëzimet e organizatorit dhe policisë dhe të mos kryejnë veprime të paligjshme para, gjatë ose pas përfundimit të ngjarjes sportive në stadium ose në afërsi të tij”, njofton policia sllovake në rrjetet sociale.

Autoritetet e kanë kategorizuar këtë ndeshje si event me rrezikshmëri të lartë, duke marrë parasysh interesimin e madh dhe numrin e konsiderueshëm të tifozëve që pritet të jenë të pranishëm.

Për këtë arsye, njësitë e ndryshme policore, përfshirë ato të trafikut, ndërhyrjes së shpejtë dhe hetimeve kriminale, do të jenë në terren për të monitoruar situatën dhe për të reaguar në çdo rast të nevojshëm.

Nga ana tjetër, përkrahja për Kosovën pritet të jetë e fuqishme edhe në tribunat e stadiumit.

Edhe pse zyrtarisht tifozëve kosovarë u takon një pjesë e kufizuar e biletave, interesimi i madh lë të kuptohet se numri i tyre mund të jetë edhe më i lartë.