Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë kryer gërmime në 32 lokacione ku dyshohej për persona të zhdukur gjatë luftës. Në 16 prej tyre janë gjetur mbetje mortore, në 15 lokacione nuk është gjetur asgjë, ndërsa një lokacion është vlerësuar se nuk ka qenë i interesit, ka njoftuar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës.
Sipas komisionit, sfida kryesore për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur vazhdon të mbetet mosbashkëpunimi i Serbisë, veçanërisht refuzimi për të ofruar informacione kredibile dhe për të hapur arkivat që lidhen me varrezat masive.
Kryetari i Komisionit, Andin Hoti, ka deklaruar se pavarësisht marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Serbia ka tërhequr dakordimin për zbatimin e tyre dhe ka refuzuar pjesëmarrjen në tri takime të thirrura nga Bashkimi Evropian gjatë këtij viti.
Ai theksoi se Serbia po kërkon ndryshimin e termave të referencës për t’iu shmangur përgjegjësisë, duke kundërshtuar raportimin e mospunës tek shtetet anëtare të BE-së. “Ne nuk do të pajtohemi me këtë dhe do të vazhdojmë presionin që Serbia të hapë arkivat e klasifikuara, të cilat besojmë se përmbajnë të dhëna për 1.571 persona që ende figurojnë të zhdukur”, tha Hoti.
Sfidë e veçantë mbetet edhe lokacioni Kozhle në Serbi, ku gërmimet janë lejuar me vonesa dhe janë ndërprerë disa herë nga autoritetet serbe. Sipas Hotit, dyshohet për një varrezë masive, por mbi të ndodhet një deponi mbeturinash mbi 15 metra, çka e ka pamundësuar vazhdimin e punimeve. Gërmimet në këtë lokacion janë ndërprerë përfundimisht për këtë vit, pa ndonjë datë të caktuar për rifillim.



Të tjera
“E kemi dashtë shpirtërisht se ka qenë i pastër me gjithçka”- Fadil Geci tregon për lidhjen e fortë me Ibrahim Rugovën!
Le ta shohim si duket fletëvotimi nesër!
Erdogan përkujton poetin me origjinë shqiptare Mehmet Akif Ersoy