Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në 27 vjetorin e vrasjes, ka qëndruar në Mitrovicë tek shtëpia e profesorit dhe veprimtarit, Latif Berisha, transmeton KosovaPost.
Kreu i Qeverisë tha se sot, 27 vite më vonë, shtëpia e tij në veriun e Mitrovicës destinohet për muze, në nderim të jetës, veprës dhe qëndresës së tij, si dhe të gjithë qytetarëve të kësaj zone, të cilët edhe vite pas luftës u vranë në shtëpitë dhe vendet e tyre.
“Profesor Latif Berisha ishte një figurë e rëndësishme e arsimit, kulturës dhe rezistencës kombëtare, i cili me punën dhe veprën e tij la gjurmë të pashlyeshme në jetën intelektuale shqiptare”, tha Kurti.
Sipas kryeministrit, Berisha, për dekada me radhë i shërbeu arsimit dhe letërsisë shqipe si profesor universitar, studiues dhe autor tekstesh shkollore, duke edukuar breza të tërë dhe duke kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar në kohë të vështira.
“Edhe pas largimit të dhunshëm nga puna në vitet ’90, ai vazhdoi të mbetet në shërbim të arsimit dhe çështjes kombëtare. Po ashtu, profesor Latif Berisha ishte edhe kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë. Lavdi jetës dhe veprës së profesor Latif Berishës! Lavdi të gjithë qytetarëve të vrarë në këtë pjesë të vendit, të cilët nuk arritën kurrë ta jetonin lirinë”, tha Kurti, pas vizitës që i bëri shtëpisë së dëshmorit të kombit, Latif Berisha.



Të tjera
24 marsi 1999 ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës
KFOR-i rrit gatishmërinë, zhvillon marshimet sfiduese në terrenet malore të Kosovës
Historia jonë duhet të motivojë të rinjtë në Kosovë