Deputetja Pacolli për faljen e borxhit nga Liburn Aliu: Le të shkojë Prokuroria ta hetojë rastin

Në Ditën Botërore të Ujit, Pacolli prezanton planin për mbrojtjen e ujërave

Në kuadër të Dita Botërore e Ujit, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka paraqitur një vizion të gjerë për mbrojtjen dhe menaxhimin e burimeve ujore në vend, duke theksuar se uji është themel për zhvillimin dhe sigurinë kombëtare, përcjell KosovaPost.

Në një deklaratë publike, ministrja Pacolli bëri të ditur se institucionet do të nisin procedurat për hartimin e Master Planit Shtetëror për ujërat, i cili do të shërbejë si dokument strategjik për orientimin e investimeve dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të resurseve ujore.

“Ky do të jetë udhërrëfyesi ynë i panegociueshëm, që do të orientojë çdo investim dhe çdo vendimmarrje në raport me ujërat”, ka teksuar Pacolli.

Ministrja paralajmëroi ndërhyrje urgjente për ndalimin e degradimit të lumenjve, duke përfshirë heqjen e barrierave artificiale dhe rehabilitimin e shtretërve të dëmtuar.

“Do të ndalim urgjentisht degradimin e shtretërve dhe do të ndërmarrim hapa konkretë për rikthimin e gjendjes natyrore të lumenjve tanë”, u shpreh ajo.

Në funksion të rritjes së sigurisë për furnizim me ujë të pijshëm, Pacolli njoftoi ndërtimin e pesë digave dhe liqeneve artificiale, si dhe zhvillimin e impianteve moderne për trajtimin e ujërave të zeza.

“Synimi ynë është të sigurojmë ujë të bollshëm dhe të sigurt për qytetarët, duke investuar njëkohësisht në trajtimin e ujërave të ndotura dhe përdorimin e ujit të shiut për nevoja sanitare dhe bujqësore”, ka theksuar ajo.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e planit është adresimi i çështjes së pronave ujore. Ministrja paralajmëroi skanim të plotë të gjendjes në terren, lirimin e hapësirave të uzurpuara dhe vendosjen e një sistemi tarifimi për shfrytëzim të drejtë.

“Do të vendosim rend dhe ligjshmëri në pronat ujore dhe do të fuqizojmë zbatimin e ligjeve kyçe për menaxhimin dhe financimin e resurseve ujore”, ka deklaruar Pacolli.

Pacolli paralajmëroi masa të rrepta ndaj shkelësve të ligjit, duke përfshirë ndalimin e nxjerrjes ilegale të zhavorrit dhe detyrimin e hidrocentraleve për të respektuar prurjen ekologjike.

“Do të ketë zero tolerancë ndaj abuzuesve të ujërave. Mbrojtja e faunës dhe ekosistemit është e panegociueshme”, ka theksuar ajo.

Duke përmbyllur mesazhin e saj, ministrja nënvizoi rëndësinë strategjike të ujit për vendin.

“Të vendosur të mbrojmë burimet e ujit – pra jetën, të ardhmen dhe vetë shtetin tonë. Atdhe tjetër nuk kemi!”, ka theksuar ajo.