Nesër në Prishtinë protestohet për Gazën: “Në Gaza s’ka jetë, por ne kemi zë”

“Në Gaza s’ka jetë, por ne kemi zë”

Nesër, e shtunë, 9 gusht 2025, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, para Ministrisë së Kulturës dhe Kino ABC, do të mbahet një tubim solidarizues për popullin e Gazës. Protesta fillon në orën 19:00 dhe zhvillohet nën moton “Në Gaza s’ka jetë, por ne kemi zë”.

Ngjarja organizohet nga pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët të mërkurën, më 6 gusht, mbajtën një konferencë për media për të prezantuar programin e aktivitetit. Sipas tyre, tubimi do të nisë me një ekspozitë simbolike që pasqyron gjendjen dhe vuajtjet e popullit të Gazës, ndërsa më pas do të mbahen fjalime të shkurtra me mesazhe për paqe dhe solidaritet.

Një pjesë e veçantë e mbrëmjes do të jetë videomesazhi i një studenti nga Gaza, i cili aktualisht ndodhet në Stamboll për studime.

“Më 9 gusht ne nuk mblidhemi për të qenë kundër dikujt, por për të qenë me dikë. Për fëmijët që po vdesin pa emër, për nënat që nuk kanë më zë për të qarë. Ne jemi për jetën kur ajo po dhunohet. Jemi për drejtësinë kur ajo po nëpërkëmbet, për dinjitetin njerëzor kur ai po fshihet nga hartat dhe titujt. Jemi për ata që nuk kanë më askënd për t’i mbrojtur dhe që nuk e kanë luksin për të heshtur,” tha njëri nga bashkëorganizatorët.