Alarmon Sami Kurteshi: Në Han të Elezit janë shitur votat – kërkon hetim urgjent

Në Han të Elezit janë shitur votat – kërkon hetim urgjent

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komision Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka hedhur dyshime mbi vërtetësinë e votimeve në Komunën e Hanit të Elezit.

Në mbledhjen e parë të KQZ-së pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, Kurteshi ka kërkuar nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Policia lidhur për votimin me asistencë.

Kurteshi ka paraqitur disa parregullsi në Komunën e Hanit të Elezit, për të cilat ka thënë se parregullsi të tilla ka edhe në komunat tjera.

“Në Komunën e Hanit të Elezit pjesëmarrja është 5015 votues, nga ta 527 janë me asistencë, pra 10,51% të votuesve. Nga këta votues me asistencë – të verbër ose me shikim të dobësuar janë 243 votues kurse analfabetë 244. Sipas të dhënave të departamentit të pensioneve në Han të Elezit e kemi vetëm një të verbër që merr pension në shumën prej 300 eurove”, ka deklaruar Kurteshi.

Në Han të Elezit fitues është shpallur kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi. Ai është shpallur fitues qysh në raundin e parë me vetëm 130 vota dallim.