Komuniteti shqiptar në Itali, respektivisht Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) dhe Shoqata Adriatiku, do të mblidhet më 8 mars 2026 në Campi Bisenzio, pranë Firences, për manifestimin përkujtimor “Kushtrimi i Lirisë”, kushtuar sakrificës sublime të Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës. Radio Televizioni i Kosovës është sponsor medial i këtij manifestimi.
Organizatorët njoftojnë se përmes aktiviteteve kulturore dhe artistike, fjalëve përkujtimore dhe pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve, aktivistëve të mërgatës dhe pjesëtarëve të Familjes Jashari nga Kosova, ky manifestim do të rikthejë në ndërgjegjen kolektive sakrificën që i dha kuptim rrugëtimit tonë drejt lirisë.
“Mysafir special do të jetë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve nga Maqedonia e Veriut, ndërsa ekspozita fotografike “Prekazi dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare” nga Sefer Aliçkaj do të sjellë një rrëfim të fuqishëm vizual që prek thellë ndërgjegjen dhe emocionin. “Kushtrimi i Lirisë” është një dëshmi se, edhe larg vendlindjes, kujtesa mbetet e gjallë dhe identiteti ruhet përmes bashkimit. Është një mesazh për brezat e rinj se sakrifica nuk harrohet dhe se rrënjët tona janë burim force dhe dinjiteti”, thuhet në njoftim.




Të tjera
Kura e fuqishme me thana kundër problemeve me diabetin
İHH vazhdon misionin humanitar – ndihma për familjet në nevojë dhe veteranët e UÇK-së në Kosovë
Arsimi në shqip ka qenë gjithmonë akt përkushtimi dhe rezistence