Luftimet midis Indisë dhe Pakistanit u intensifikuan ndjeshëm të shtunën, me të dyja palët që synonin bazat ajrore dhe vendet ushtarake, dhe secila duke fajësuar tjetrën për sulmin e parë.
Ushtria pakistaneze tha se nisi një operacion kundër Indisë të shtunën në mëngjes si shenjë hakmarrje ndaj “agresionit indian” të kohëve të fundit.
Njoftimi erdhi menjëherë pasi Pakistani tha se India kishte sulmuar disa nga bazat e saj ajrore ushtarake duke përfshirë edhe shënjestrimin e një baze afër kryeqytetit, Islamabad.
Menjëherë pas këtij pretendimi, qeveria pakistaneze postoi në X duke nënvizuar se “India tani duhet të përgatitet për përgjigjen e Pakistanit”.
Sipas një zëdhënësi të ushtrisë indiane, avionët luftarakë qëlluan raketa ajër-tokë në bazat Noor Khan, Murid dhe Shorkot të Forcave Ajrore Pakistaneze, pa raportuar ndonjë viktimë apo dëme të konsiderueshme materiale.
Në të njëjtën kohë, ushtria indiane akuzoi Pakistanin për sulm ndaj objekteve mjekësore dhe arsimore në Kashmirin Indian.
Pas kësaj situate Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio zhvilloi edhe një bisedë me shefin e ushtrisë së Pakistanit, gjeneralin Asim Munir dhe me ministrin e Jashtëm të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar.
Rubio iu bëri thirrje Indisë dhe Pakistanit të gjejnë mënyra për të ulur tensionet.
G7 gjithashtu kërkuan “përmbajtje maksimale nga India dhe Pakistani” dhe paralajmëruan të premten se “përshkallëzimi i mëtejshëm ushtarak përbën një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal”.
Si nisi konflikti mes dy vendeve?
India akuzon Pakistanin për strehimin e grupeve terroriste që kryen një sulm vdekjeprurës ndaj turistëve muajin e kaluar në Kashmirin e kontrolluar nga India, ndërkohë Pakistani e ka mohuar këtë pretëndim të Indisë.
Që atëherë, konflikti është shndërruar në konfrontimin më të gjerë midis dy kombeve në gjysmë shekulli, me luftime të ashpra përgjatë pjesëve të kufirit të tyre dhe sulme me dronë që godasin më thellë brenda secilit vend. Çdo përgjigje ka ardhur me valë pretendimesh, kundërpretendimesh dhe dezinformimesh.
India dhe Pakistani u bënë vende të ndara në vitin 1947 dhe kanë zhvilluar tre luftëra, ku mosmarrëveshjet për Kashmirin ishin pjesë e secilës prej tyre, shkruan shqiptarja.com. Njëra prej këtyre luftërave, në dhjetor të vitit 1971, krijoi të ashtuquajturën Vijë Kontrolli që ndan Kashmirin.
Të tjera
Moska po kërkon zgjerimin e lu*ftës
Shukri Buja nis fushatën në Lipjan me një atmosferë elektrizuese – Fitorja është e jona!
Shukri Buja nis fushatën në Lipjan me një atmosferë elektrizuese!