Në rigjykim, dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës lirohen nga akuza për korrupsion

Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, lidhur me akuzën për korrupsion.

Akgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësja Dermaku tha se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Keqpërdormi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

E dëmtuara- Ministria e Infrastrukturës për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzua në kontest civil.

Ndryshe, të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në shpallje të aktgjykimit.

Fillimisht, dy të akuzuarit, më 6 gusht 2021 nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishin dënuar me nga 3 vite burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Mirëpo, pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve dhe sipas detyrës zyrtare, Gjykata e Apelit, aktgjykimin e shkallës së parë e ka anuluar dhe çështjen ia ka kthyer të njëjtës në rigjykim dhe rivendosje.

Më pas, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 tetor 2022 kishte shpallur aktgjykim dënues, ku ndaj Bekteshit ishte shqiptuar dënim prej 2 vitesh burgim, kurse ndaj Tahirit 3 vite burgim, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.

Në këtë rast, Naim Sallahu kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që ky dënim i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ngarkonte Xhelil Bekteshin se në pozitën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohej se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.

Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjurgjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

I pandehuri Tahiri akuzohej se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Ndërsa, i pandehuri Naim Sallahu, si pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ngarkohej me veprën penale “Falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Sallahu e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtetë. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë.

Ndryshe, Tahiri është i akuzuar edhe në rastin e njohur si “53-milionëshi”, meqë rast është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, gjithashtu për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.