Nesër seanca e 13-të, “Parlamenti Evropian ia dha sinjalin Kosovës, bëri thirrje për përgjegjësi”

Nesër pritet të mbahet seanca e 13-të, si tentim për konstituimin e Kuvendit. Seancat e mëparshme kanë dështuar për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiun. Opozita ka kundërshtuar në ҫdo seancë zgjedhjen e Haxhiut si kryeparlamentare.

Nesër mbetet të shihet nëse pozita apo opozita do të dalin me një vendim tjetër që do t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve.

Tashmë është bërë e ditur se ky ngërҫ politik ka bllokuar Kosovën në disa procese. Për shkak të situatës aktuale, Kosova nuk arriti të jetë pjesë e agjendës për t’u pranuar apo jo në Këshillin e Evropës. Mirëpo, njohësit e politikës numërojnë edhe humbje të tjera të Kosovës që mund të pësoj në rast se vazhdon me këtë situatë.

Njohësi i ҫështjeve politike, politologu Fahredin Majkovci në një prononcim për ‘Bota sot’, duke vlerësuar situatën aktuale, vlerëson se Kosova aktualisht ndodhet në një situatë të brishtë si me qytetarët ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Image

Politologu, Fahredin Majkovci

“Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe vendimmarrës në vend. Funksionimi i tij nuk është vetëm një çështje e brendshme e rendit demokratik, por edhe një ndër kriteret thelbësore për matjen e përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Dështimet e përsëritura për të mbajtur seanca efektive e kanë vendosur Kosovën në një pozitë të brishtë, si në raport me qytetarët e saj, ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë”, thotë ai.

Sipas tij, dështimet e Kuvendit për të dalë nga ky ngërҫ politik, do të kenë pasoja në tri drejtime.

“Këto dështime në gjykimi tim prodhojnë pasoja në tri rrafshe: Bllokimi legjislativ dhe ngërçi në reforma. Kjo jo vetëm që ndikon në performancën e institucioneve, por përkeqëson edhe perceptimin e Bashkimit Evropian ndaj përkushtimit të Kosovës për reforma; Humbja e besueshmërisë ndërkombëtare. Partnerët evropianë, përfshirë Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare, ndjekin me vëmendje funksionimin demokratik të institucioneve në Kosovë. Bllokimi i Kuvendit si pasojë e përplasjeve politike, bojkoteve apo mungesës së kuorumit interpretohet si mungesë vullneti politik për të avancuar agjendën reformuese dhe dëmton kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare; Kostot për qytetarët. Në fund të ditës, humbësit më të mëdhenj janë qytetarët e Republikës së Kosovës”, vlerëson Majkovci.

Sipas tij, zgjidhja kërkon angazhim serioz e të koordinuar.

‘Është jetike që çështjet nacionale të mos bien pre e kalkulimeve partiake. Nevojitet aktivizim më i madh i presidentes si ndërmjetëse në rast të bllokimeve institucionale, si dhe rritje e presionit qytetar dhe medial për më shumë transparencë dhe përgjegjësi”, thekson ai.

Politologu Majkovci thotë se, vendimi i Parlamentit Evropian në rezolutën për Kosovën, është sinjal I rëndësishëm dhe një thirrje për përgjegjësi. AI thotë se politika duhet të ndaloj sabotimin e të ardhmes evropiane për interesa partiake.

“Për më tepër, Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën për Kosovën, ku ndër të tjera kërkohet edhe heqja e masave të BE-së ndaj vendit tonë. Ky është një sinjal politik i rëndësishëm, por edhe një thirrje për përgjegjësi. Kosova nuk ka luksin të humbasë më kohë. Çdo muaj pa seanca funksionale është një muaj më larg nga Bashkimi Evropian. Politika duhet të ndalë sabotimin e së ardhmes evropiane për interesa afatshkurtra e partiake”, tha ai.