“New York Times” padit Pentagonin për “kufizim të lirisë së shprehjes”

New York Times” padit Pentagonin për “kufizim të lirisë së shprehjes

Gazeta amerikane “New York Times” (NYT) ka paditur Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së (Pentagoni), duke e akuzuar për “shkelje të lirisë së shprehjes”, transmeton Anadolu.

NYT-ja pretendon se rregullat e reja të Pentagonit mbi qasjen e mediave ndaj informacionit shkelin të drejtat e lirisë së shprehjes të garantuara nga Neni i Parë i Kushtetutës amerikane.

Në padinë e ngritur nga administrata e gazetës ndaj Departamenti, theksohet se kufizimet e vendosura ndaj mediave janë në kundërshtim me Kushtetutën e SHBA-së.

Në një memorandum të përgatitur nga avokatët e NYT-së, u kritikua një rregull që detyron gazetarët që duan të raportojnë për Pentagonin të nënshkruajnë dokumente që garantojnë respektimin e rregullave të reja, të cilat vështirësojnë ndjeshëm qasjen tek burimet.

Në deklaratën e gazetës, u shpreh se Pentagoni synon të mbyllë dyert për gazetarët që duan të hetojnë veprimet e tij.

“Ashtu si kemi bërë gjithmonë kundër qeverive që kundërshtojnë kontrollin dhe llogaridhënien, synojmë të mbrojmë fuqishëm këto të drejta edhe ndaj shkeljeve të tanishme”, thuhet në deklaratë.

– Debate mbi akreditimin në Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagon

Më parë, Shtëpia e Bardhë kishte ndaluar një gazetar të agjencisë Associated Press (AP) që të merrte pjesë në konferencën për shtyp të presidentit amerikan Donald Trump, pasi AP-ja kishte refuzuar të përdorte shprehjen “Gjiri i Amerikës”.

Po ashtu, në fillim të shkurtit, Pentagoni njoftoi se disa media, përfshirë “NBC News”, “The New York Times”, NPR dhe “Politico”, duhet të lirojnë zyrat e tyre brenda godinave ushtarake, si pjesë e programit të ri të rotacionit.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Ullyot, në një letër drejtuar Shoqatës së Shtypit të Pentagonit, ishte shprehur se ky vendim synonte t’u jepte mundësi mediave që nuk kishin përfituar më parë nga hapësirat fizike të punës në Pentagon.

Gjithashtu, në tetor, nga gazetarët e regjistruar pranë Pentagonit u kërkua të nënshkruanin rregulla të reja që kufizojnë ndjeshëm mundësinë e tyre për të raportuar.