Nga AKR komentojnë vendimin e kushtetueses, thonë se favorizon LVV dhe ‘këshillojnë’ Kurtin për koalicion me…

Të premten përmes një njoftimi, Kushtetuesja ka thënë se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të “ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tri herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Po ashtu ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Lëvizja Vetëvendosje, thotë se njoftimi i Kushtetueses është devijim i rrezikshëm nga roli kushtetues dhe se është “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”.

“Rregullat e reja të paralajmëruara nga Gjykata Kushtetuese, nëse nuk janë në Kushtetutë dhe as në Rregulloren e Kuvendit, nuk mund të jenë në asnjë aktgjykim”, thuhet në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Gjykata nuk e ka të drejtën që të krijojë norma të reja juridike apo të imponojë rregulla që nuk kanë bazë në Kushtetutë”, shtoi ajo pos tjerash.

Ndryshe, nga Lëvizja Vetëvendosje vendimi i Kushtetueses u përkrahë nga partitë që në të kaluarën ishin në opozitë përkrahën vendimin.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se me këtë vendim të Kushtetueses, u vërtetuan qëndrimet e partisë së tij, që LVV-ja “e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë Kushtetutës”.

Sipas tij, ky vendim është fitore për rendin kushtetues.

Kurse, Ardian Gjini nga AAK-ja tha se me vendimin e Kushtetueses, “fitoi demokracia, u rrëzua diktati”.

Ndërsa, Aleanca Kosova e Re thotë se dita e kushtetutës është festë shtetërore dhe se është jonormale të dyshohet.

Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli, thotë se për të gjithë ata që pa ekuivokë e kanë interesin e përgjithshëm dhe shtetëror para inateve meskine dhe para interesave dhe lakmive personale, klanore e partiake, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është konformë legjislaturës së Republikës dhe shumë i qartë dhe balancues.

Image

Vesel Makolli

Sipas tij, vendimi i kushtetueses nuk parasheh sanksione ndaj shkelësve të saj dhe kjo nënkupton që ai është balancues dhe në favor të LVV-së.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të drejtpërdrejtë e përcakton si shkelës të Kushtetutës pengun e Albin Kurtit, Zoti Avni Deharin, e kjo nënkupton që Kurti ka qenë ai që e ka bllokuar zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, pasi që nuk e ka pasur minimumin e nevojshëm prej 61 votave për zgjedhjen e Kryeministrit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk parasheh sanksione ndaj shkelësve të Kushtetutës, e kjo nënkupton që ky vendim është edhe balancues dhe në favor të LVV-së, dhe është një mundësi për të krijuar atmosferë përafrimi ndërpartiak, mirëkuptimi dhe tolerance për arritje të marrëveshjes së nevojshme për zgjidhjen e ngërçit politik, i cili i ka sjellë Republikës sonë dëme të pariparueshme dhe nëse Kurti vazhdon me kokëfortësinë e tij, do ta rrezikojë Pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e pohon të drejtën e partisë së parë për ta propozuar kandidatin për Kryetar Kuvendi, por e obligon që ta ndërrojë kandidatin nëse pas tri seancave radhazi nuk i fiton votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Nëse Z. Kurti i përmbahet premtimit të tij që e ka dhënë para disa ditëve për respektimin e çdo vendimi që e bën Gjykata Kushtetuese, dhe nëse një pjesë e opozitës e mban fjalën e dhënë gjatë kohëzgjatjes së cirkut deharian prej 54 episodave, që do ta votojë një kandidat tjetër të propozuar, që janë përmendur disa emra, zgjidhja e këtij ngërçi politik mund të bëhet qysh në seancën e parë vazhduese të Kuvendit”, deklaron Veseli.

Ai propozon partneritet të Kurtit me dy partitë e mëdha, gjersa shton se topi është hedhur në terren të LVV-së.

“ Z. Kurti duhet sa më shpejt t’i lërë anash inatet dhe egon e tij dhe të gjejë partner për bashkëqeverisje, që është normë e zakonshme demokratike. Nisma që i ka tre kuvendarë, nuk do të jetë e mjaftueshme për t’i bërë numrat, andaj zgjidhja më e mirë kishte me qenë partneriteti qeverisës me njërën prej dy partive të mëdha, që kishte me rezultuar me numra të nevojshëm dhe me qeveri stabile. Për të arritur këtë, LVV duhet të jetë e gatshme me bërë koncesione të mëdha, ose në të kundërtën të kalojë në opozitë. Duke e marrë parasysh kohën e gjatë që jemi në pat pozicion, pa institucione legjitime, dhe shumë obligime shtetërore që i ka Kosova në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar, shkuarja në zgjedhje duhet të jetë skenari i fundit. Topi është hedhur në terren të LVV-së, dhe zhvillimet e ardhshme politike do të varen në tërësi nga veprimet e Albin Kurtit, i cili do ta ketë përgjegjësinë për të gjitha pasojat që do t’i kemi nga prolongimi i mëtejshëm i moskrijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, përfundon Veseli.