Pas takimit, Abdixhiku tha se bëhej fjalë për një kafe miqësore, ndërsa Limaj u shpreh shkurt se “është mirë kur na shihni bashkë”.
Këto dy parti, ishin ato që refuzuan të bënin koalicion qeverisës me LVV-në, derisa vendi po hyn në një fazë të ndjeshme, e me gjasë edhe me një palë zgjedhje të reja.
E në lidhje me prapaskenat e takimit Limaj-Abdixhiku, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.
“Ishte shumë interesante të shihje takimin e fundit midis kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. dhe Fatmir Limajt në një bar në Prishtinë. Them se kishte një simfoni midis personave që u takuan dhe vendit ku ata u takuan. Njëkohësisht ishte edhe shpërfaqje e karakterit të tyre. Takim për marrëveshje në një lokal shërbimi në kryeqytet. Sikur nuk kishin zyra, salla, vende të posaçme ku ata të bisedonin nën ndriçimin e blicave të kamerave televizive!
Por ja që kështu e kishin paraparë skenarin. Ose se Lumiri donte të thoshte se kryetari i Mismës socialdemokrate me tre deputetë është miku i tij, por jo partner i denjë për të biseduar në ambjentet e zyrave të LDK-së. Këtë nuk mund ta them me siguri. Me siguri them atë se Fatmir Limaj ishte mizë te Haradinaj. Iku prej tij dhe shkoi te Albini. Haradinaj e kishte pranuar dhe ia garantoi 3 vende në parlament, duke ia hequr vetes edhe së paku nja tre vende tjera, që i kishte më parë. Me siguri që Ramushi është gëzuar shumë se Fatmiri iku prej tij dhe tani do të bashkëpunojë me Lumirin”, nënvizoi ai.
Mirëpo, Bytyçi konsideroi se Kurti nuk ra në kurthin e Limajt, pasi dihet se ky i fundit dikur ia bashkua Thaçit në projektin për ta ndarë Kosovën.
Më tej, profesori u shpreh se faktin që ky takim ndodhi vetëm një ditë pas dështimit të formimit të qeverisë Kurti 3 do të thotë shumë.
Në këtë pikë, ai përmendi dy skenare, ose Lumiri po lobon për t’i marrë 61 vota për t’u bërë kryeministër, ose është afruar me Limajn për një koalicion të mundshëm parazgjedhor.
“Takimi ndodhi vetëm një ditë pasiqë Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë qeverinë Kurti 3. Tani duhet hamendësuar ndoshta pse ndodhi ky takim pikërisht në këtë moment. Sepse momenti flet shumë gjithashtu. Për çfarë u bënë bashkë ata të dy? Për të mbledh forcat dhe për të krijuar një qeveri tjetër, me mandat të presidentes? Mos ndoshta Lumiri ka nis fushatën për të bërë 61 numra deputetësh për t’u bërë vetë kryeministër? Sepse edhe PDK, e cila e mbart këtë të drejtë, ka deklaruar se nuk është e interesuar për formimin e qeverisë. A mos ka në këtë rast një shkelje syri për Lumirin, që ky të nisë punën për të formuar qeverinë e re? Ky është varianti i parë.
Varianti i dytë ka të bëjë me një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e reja që duhet të bëhen mesa shihet në dhjetor. Ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ndoshta LDK do të përpiqet të zgjerojë koalicionin e vet, me një synim për të dalë parti e parë dhe për ta fituar të drejtën e krijimit të qeverisë pas zgjedhjeve të ardhshme. Unë nuk i besoj këtij variantit të dytë, sepse nuk besoj që Abdixhiku u ngut kaq shumë për t’u takuar me Limën për një palë zgjedhje, të cilat akoma nuk janë përcaktuar. Përkundrazi, besoj se Lumir Abdixhiku do të përpiqet të bëhet kryeministër i Kosovës”.
Tutje, ai tha se është shumë problem që Abdixhiku të arrij t’i sigurojë 61 vota, për shkak të numrave që ka LDK.
Megjithatë, profesori beson se Abdixhiku nuk ka guxim të bëj pazare me Kosovën.



Të tjera
Frutat dhe perimet e pasura me hekur
Fëmijët nuk duhet t’i bëjnë detyrat me prindërit, sipas psikologëve
Qëndrimi ulur 8 orë në ditë shkakton probleme në zemër