Policia e Kosovës për rajonin e veriut ka njoftuar se, nga 1 nëntori, pronarët e automjeteve me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë për më gjatë se tre muaj.
Ky vendim pritet t’i prekë veçanërisht pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, të cilët shpesh përdorin automjete me targa të Serbisë.
Një pjesë e qytetarëve, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndaluar targat serbe me shkurtesa të qyteteve të Kosovës – si KM (Mitrovica e Kosovës), PR (Prishtina) e të ngjashme – i kanë riregjistruar automjetet në ndonjë qytet të Serbisë dhe kanë qarkulluar me autorizim.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se një gjë e tillë nuk do të lejohet më, pasi është në kundërshtim me ligjin.
“Nuk do të mundë të qarkullojnë më makinat nga Serbia vetëm me autorizim”, theksoi ai, duke sqaruar se kjo vlen për ata që kanë përdorur automjete të tilla me dokumente kosovare.
Në Serbi autorizimet për automjete lëshohen në bazë të letërnjoftimit dhe lejes së qarkullimit.
Në praktikë, kjo do të thotë se serbët e Kosovës, të cilët nuk e kanë ndryshuar vendbanimin në sistemin serb dhe qarkullojnë me targa të një qyteti në Serbi, figurojnë në autorizim me të dhënat e letërnjoftimit të lëshuar nga organet e Serbisë për qytetet në Kosovë – dokumente që autoritetet kosovare nuk i njohin.
Elshani rikujtoi se edhe vitin e kaluar Ministria e Brendshme kishte trajtuar këtë problem dhe se tani zgjidhja është që shtetasit e Kosovës me makina me targa serbe t’i riregjistrojnë ato me targa të Kosovës – RKS.
Ndërkaq, shtetasit me dokumente serbe do të duhet të largohen nga Kosova çdo tre muaj.
“Duhet të regjistrohet hyrja në kufi, kështu e parasheh ligji”, tha ai, duke shtuar se gjoba për mosrespektim do të jetë 200 euro dhe do të vlejë për të gjithë, përveç rasteve të veçanta që mund të aplikohen për institucione të caktuara.
Si shembull përjashtimi, Elshani përmendi automjetet e urgjencës të institucioneve shëndetësore që funksionojnë në sistemin e Serbisë në Kosovë.
“Do të shohim nëse do të gjendet ndonjë zgjidhje për to”, tha ai.
Ndërrimi i targave serbe me ato kosovare ka qenë një prej çështjeve më të ndjeshme që ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, pjesëtarët e komunitetit serb, me nismën e Listës Serbe, kishin braktisur institucionet e Kosovës në veri./rel
Të tjera
Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar dënojnë su*lmet e 9 shtatorit të Iz*raelit në Doha
Marrëdhëniet Kosovë–ShBA kurrë s’kanë qenë më të forta
E kemi shpëtuar Kosovën nga korrupsioni dhe tendencat për ndarje, do ta çlirojmë secilën komunë nga hajnia e partive të tjera