Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Kurti ka thënë se pas shuarjes së strukturave paralele, do të nis procesi i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se ky proces do fillojë nga e hëna, pas marrëveshjes për lehtësira për Ligjin për të Huajt.
“Strukturat paralele të Serbisë që funksionuan për 20 vite në Kosovë, përfshirë 12 vite pas pavarësisë, u mbyllën në një mandat të Qeverisë Kurti. Tani ka nisur procesi i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Republikës së Kosovës. Ky proces fillon nga nesër përmes evidentimit drejt legalizimit dhe përfshirjes së plotë në sistemin legal të Kosovës. E ata që për 20 vite ruajtën status quo-në e strukturave paralele, le t’i ruajnë edhe statuset nga dje dhe sot. Do t’u duhen më vonë”, ka shkruar Zulfaj në Facebook.
Të shtunën, pas takimit që Kurti zhvilloi me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen u bë e ditur se është arritur marrëveshje se Ligji për të Huajt do të zbatohet me masa shtesë.
Vendimi u përshëndet nga BE dhe ambasadat e vendeve të BE-së të akredituara në Kosovë.
Por, ky vendim u kritikua nga opozita në Kosovë, duke akuzuar Qeverinë për legalizim të strukturave paralele.



Të tjera
Këshilla për shoferët gjatë vozitjes në vapë të madhe
Tonik nga majdanozi, për një fytyrë të re
Nga nesër nis procesi i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës