KEK: Njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi

Nis instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B”, projekt prej 90 milionë eurosh i financuar nga BE

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se ka filluar instalimi i filtrave të rinj në Termocentralin “Kosova B”, pasi janë përmbushur të gjitha kushtet teknike dhe ligjore. Ajo tha se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sektorit energjetik dhe përmirësimit të cilësisë së ajrit në vend.

Rizvanolli theksoi se gjatë vitit 2023 është kryer dilatimi i bojlerëve, ndërsa këtë vit KEK ka realizuar modernizimin e turbinës në njësinë B1. Projekti i filtrave po financohet me rreth 90 milionë euro nga Bashkimi Evropian, dhe synon uljen drastike të ndotjes.

Në njoftimin e saj, ministrja deklaroi:

“Po nis instialimi i filtrave në Termocentralin ‘Kosova B’ pasi janë përmbushur të gjitha kushtet teknike e ligjore, përfshirë dilatimin e bojlerëve në vitin 2023. Këtë vit, KEK ka realizuar edhe modernizimin e turbinës në njësinë B1.
Me rreth 90 milionë euro financim nga BE, filtrat do të ulin emetimet e pluhurit deri në 35 herë dhe oksideve të azotit (NOx) deri në 4 herë, duke i sjellë në përputhje me standardet e BE-së dhe duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në Obiliq, Fushë Kosovë, Prishtinë dhe në gjithë Kosovën.
Falemnderit Bashkimit Evropian për mbështetjen afatgjatë në modernizimin e sektorit tonë të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe falemnderit punonjësve dhe menaxhmentit të KEK-ut për punën shumëvjeçare për ta çuar këtë projekt kompleks deri në fazën e implementimit.
Ky është një hap konkret drejt furnizimit më të pastër dhe më të sigurt me energji për familjet dhe bizneset tona, dhe drejt një të ardhmeje më të shëndetshme për qytetarët e Kosovës.”

Sipas ministrisë, zbatimi i filtrave do ta sjellë termocentralin në përputhje me standardet evropiane të emetimeve, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit për mijëra qytetarë në komunat përreth dhe në gjithë vendin.