Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e Stadiumit të Qytetit në Suharekë, investim prej 11 milionë eurosh, i cili do të ketë mbi 6,500 ulëse dhe do të përfundojë brenda 750 ditësh, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky stadium është i kategorisë 2 plus sipas UEFA-s, që i jep një rëndësi të veçantë futbollit kosovar.
“Është i kategorisë 2 plus sipas UEFA-s, që do të thotë se do t’i ketë më shumë se 6,500 ulëse, një lajm i kënaqshëm për Suharekën dhe futbollin në Kosovë. Për 750 ditë duhet të kryhen të gjitha punimet e nevojshme, në mënyrë që ashtu siç është paraparë në projekt të duket edhe në realitet. Me këtë rast falënderoj në veçanti klubin futbollistik Ballkani i Suharekës, i cili me sukseset e jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare e ka lartësuar imazhin e shtetit tonë, posaçërisht të futbollit kosovar. Në këtë mënyrë, me këtë stadium që ka vlerën e investimit rreth 11 milionë euro, ne lajmë një pjesë të borxhit shtetëror ndaj këtij ekipi të jashtëzakonshëm që pa dyshim po frymëzon”, tha ai.
Ministri në detyrë i Kulturës tha se ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë të Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e infrastrukturës sportive.
“Tradita sportive është e gjatë në Suharekë dhe klubi futbollistik Ballkani e ka ngritur në një nivel tjetër sa i përket rezultateve ndërkombëtare. Ky investim është pjesë e një programi shumë më të madh të Qeverisë së Kosovës. Jo vetëm i Ministrisë, por edhe i qeverisë, pasi buxheti për infrastrukturën e futbollit ka kërkuar zotim të veçantë të qeverisë dhe kryeministrit”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, e cilësoi këtë ditë si një nga më të rëndësishmet për komunën.
“Për ne në Suharekë është një ditë shumë e rëndësishme, sidomos për gjeneratat e reja dhe klubin Ballkani. Është investimi më i madh që mbahet mend në infrastrukturë”, tha ai.
Të tjera
Me presidenten Osmani diskutuam për partneritetin e ngushtë Kosovë-Mbretëri të Bashkuar dhe për formimin e Kuvendit
Ushtria e Kosovës dhe e Shqipërisë trajnohen për ndërtimin e urave ushtarake
Bislimi shpreh mirënjohjen ndaj Kroacisë për mbështetjen dhe përkrahjen e parezervë që po i bën Kosovës